Shpallja e tre tenderave për shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane tregon qartë dështimin e planeve së Bashkisë së Tiranës në sektorin delikat të riciklimit të mbeturinave.

Ja se çfarë deklaronte kreu i Bashkisë Tiranë me 29 shtator 2016, në prani të kryeministrit Edi Rama, kur filloi punë kompania e përbashkët Eco Tirana e prezantuar si një revolucion i vërtetë në shërbimin e përpunimit të mbetjeve: “Për herë të parë do të fusim edhe konceptin e mbeturinave të ndara që në burim.

Sigurisht që ne do të investojmë në konteinerë të rinj, në pajisje moderne, në staf të kualifikuar, por do të shpenzojmë të njëjtën energji, siç po e bëjmë për infrastrukturën dhe makinerinë, për kulturën, për të arsimuar fëmijët, të rinjtë, familjet dhe të gjithë qytetarët se si mund të jenë partnerë dhe bashkëpunëtorë të kësaj kompanie publike.

Plani i ekspansionit është që, pas 18 muajsh, ne të kemi mbuluar gjithë territorin e Tiranës me kompaninë tonë të re “Eco Tirana”, kompani publike”.

Pra, diferencimi i mbetjeve ishte një nga themelet, mbi të cilat u krijua ndërmarrja e përbashkët me sipërmarrësit italianë, të cilët kishin një përvojë të gjatë në këtë drejtim.

“Ne do të kërkojmë krijimin e një ndërmarrjeje të re në partneritet me ndërmarrje të së drejtës së huaj, që shquhen si ofrues elitarë të shërbimit të pastrimit, mbledhjes dhe largimit të mbeturinave, selektimit të mbetjeve urbane, riciklimit të tyre, si dhe për edukimin qytetar për bashkëpunimin në ndarjen, seleksionimin dhe mbrojtjen e mjedisit”, theksohet në relacionin e paraqitur para Këshillit Bashkiak në fillim të vitit 2016, të nënshkruar nga kryebashkiaku.

Por edhe prania e këtyre ofruesve elitarë të përzgjedhur nga jashtë vendit nuk e ka zgjidhur problemin e diferencimit.

eko tirana

Plan-biznesi
Sipas plan-biznesit të ndërmarrjes së përbashkët, në 18 muajt e parë të saj, ndërmarrja “Eco Tirana” do të menaxhonte një fond prej 2.5 milionë eurosh, ku 10% e tij do të shtohej për të mundësuar mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Zona ku do të punohej fillimisht nga kjo kompani njihet si “zona e kuqe”, pjesë e Qendrës dhe Tiranës së Re.

Aktualisht, sipas përfaqësuesve të Bashkisë, shërbimet janë shtrirë brenda Unazës së Mesme. “

Në përfundim të kësaj periudhe, menaxhimi i shërbimeve dhe mbledhja e diferencuar do të zgjerohen automatikisht deri në përfshirjen e të gjithë territorit të Bashkisë së Tiranës, ku përfshihet territori i Bashkisë përpara reformës territoriale (pra, qyteti – shën. i redaksisë). Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet në 50% të territorit që mbetet dhe nga 1 qershori 2018 do të mbulojë të gjithë territorin”, – thuhet në planin e biznesit të “Eco Tirana”.

1 qershori 2017 ka kaluar, por nuk është konstatuar rritja e fushës së veprimit të kompanisë.

Por jo vetëm kaq. Nga 4 shtatori 2017, pas përfundimit të procedurave të tre tenderave, që sapo janë shpallur për zonat 2, 3 4, deri në vitin 2020 mbledhja e mbeturinave në pjesën e Tiranës jashtë Unazës së Vogël, do të menaxhohet nga kompanitë fituese të tenderave dhe jo nga Eco Tirana si ishte parashikuar ne plan biznes. 

Pra, ose Eco Tirana do të marrë pjesë në gara dhe do të fitojë, ose plan-biznesi i parashikuar nga kompania gjysmë publike e gjysmë private është destinuar të dështojë që nga viti i parë.
 
Fondet
Ndërkohë, përveç dështimit në respektimin e afateve kohore për shtrirjen në gjithë zonën urbane, duket se Bashkia duhet të shpjegojë edhe arsyen e fondit shtesë 10%, pasi, sipas plan-biznesit, kostot financiare të Eco Tirana do të rriteshin pikerisht me 10% më shumë se buxheti që jepte Bashkia për të pastruar qytetin për të bërë diferencimin e mbetjeve, ndarjen e tyre fillimisht në dy lloje, të lëngshme dhe të thata, e më pas ndarjen në disa nënfaza të tjera. Po si do të justifikojë tani Bashkia rritjen e fondit me 10%, krahasuar me pagesën që bënte më parë pr pastrimin e Tiranës, kur praktikisht ka dështuar në aplikimin e diferencimit të mbetjeve, për çka kishte kërkuar fondin shtesë?
 
Krahasimi/ Që në garë e percakton si kusht për fituesin
Ndryshe nga procedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës, ajo e lezhës më 4 gusht shpalli një garë për mbledhjen e mbetjeve, por duke e specifikuar që fjala do të jetë për mbledhje të diferencuar. Ky detaj saktësohet që nga titulli i tenderit: “Grumbullimi, transporti i mbetjeve urbane, selektimi i mbetjeve të riciklueshme, depozitimi i mbetjeve të pariciklueshme ne landfill”.

Ndërmjet mjeteve të transportit që kërkohen, saktësohet që një kamion do të destinohet për transportin e materialit të riciklueshëm dhe një tjetër për transportin e materialit të pariciklueshëm.

Dhe, fakti që bëhet fjalë për mbledhje të diferencuar sjell pasoja edhe mbi sasinë e mbetjeve që do të transportohen: në të njejtën procedurë gare në fakt saktësohet se “Sasia e mbetjeve që depozitohen në landfill është e ndryshme nga sasia e mbetjeve që grumbullohen për efekt të sasisë së mbetjeve të riciklueshme, që selektohen për riciklim.

Sasia e mbetjeve të pariciklueshme, që rrjedhin nga procesi i selektimit të mbetjeve të riciklueshme, që depozitohen në landfill, do të ndryshojë në vitet në vijim, sipas sasisë së mbetjeve të riciklueshme që selektohen”.

Gara e Bashkisë lezhë është shumë më e vogël nga ato të Tiranës dhe në fakt vlera e saj është vetëm 50 milionë lekë (të reja) për katër vitet e ardhshme.

Por kriteret e ndryshme të përzgjedhjes që shpallen mes kushteve teknike konfirmojnë dyshimin  që, në të vërtetë, Bashkia e Tiranës nuk ka si projekt realizimin e mbledhjes së diferencuar, të cilën Bashkia e Lezhës, në të kundërt, e ka saktësuar në specifikimet e garës së saj.  

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com