Investigimi i Report Tv: Nëndeklarimi i pagave po rrezikon pensionet! Qeveria e pranon: Duhet disiplinim! (DEBATET)

Rreth 294 mijë qytetarë që kanë mbushur moshën e pensionit, nuk e marrin të plotë pensionin mujor, kjo për shkak të kontributeve të ulëta si rezultat i nëndeklarimit të pagave dhe mosplotësimit të viteve të siguruara.

Fenomeni i nëndeklarimit të pagave, ku bizneset një pjesë e hedhin në bankë e tjetrën në dorë, i trajtuar me disa investigimeve nga Report TV, për herë të parë u pranua edhe nga Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja.

Skema e pensioneve është kontributive dhe bazohet mbi deklarimin dhe mbi kontributet e të ardhurat e atyre që punojnë sot dhe që paguajnë për të ardhmen dhe pensionin e tyre. Pavarësisht se të gjithë ne duam që të kemi rritjen e pensioneve, ne duhet të kuptojmë që duhet një ndërgjegjësim shumë i fortë i qytetarëve për të deklaruar dhe për të paguar në masën reale detyrimin për pensionin, nëse duam nesër një pension dinjitoz. Kemi shumë problematika me deklarimin real të pagave që lidhet direkt masa e deklarimit për pensionin. Nëse duam një pension dinjitoz, duhet të deklarojmë real sot. Natyrisht që kjo ka të bëjë edhe me informalitetin, me kontrollet, disiplinimit dhe gjithçka mund të bëjë shteti por është edhe çështje ndërgjegjësimi”, tha Gonxhja.

Nga salla e kuvendit, ministri foli me shifra edhe për fondet që shpenzohen nga buxheti për skemën e pensioneve.

“Janë 480 milionë euro në vit që buxheti paguan për të mbuluar diferencën e skemës, por edhe për të kontribuuar edhe në zbutjen e kostove për qytetarët që janë në këto skema”, tha ministri.

Investigimi i Report Tv pak javë më parë, i bazuar në shifra dhe informacione zyrtare konkludoi se mbi 158 mijë qytetarë janë prekur nga nën deklarimi i pagave që prej vitit 2021. Ndërkohë afro 600 mijë qytetarë shqiptarë rrezikojnë të mbesin pa pension pasi edhe pse figurojnë të punësuar, referuar shifrave zyrtare për ata nuk paguhen fare sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Teksa diskutimet në Kuvend, duhet të ishin për njohjen e pensioneve me Italinë, në fakt, u përqendruan tek defektet e skemës aktuale, ku sipas opozitës, kërkohet ndryshim rrënjësor pasi pensionet janë qesharake.

“Politika e pensioneve ka dështuar, se sot pensioni social i deklaruar nga qeveria 8 vite më parë dështoi si një masë për të nxjerrë këtë shtresë nga varfëria. Duhet të jenë reforma të cilat prekin në thelb sistemin, dhe që janë të qëndrueshme”, tha Tabaku.

Deputeti Dashamir Shehi erdhi me një propozim konkret se si mund të rriten pensionet.

“Nuk është ndonjë tmerr i madh të rritim përsëri borxhin, të krijojmë një fond për pensionet, të paktën për një 5-vjeçar ti kalojmë tek pensionet e ulta, një fond prej 200-300 milionë euro në vit. Kjo është skema, nuk ka rrugë të tjera, nuk dalin paratë nga dheu. Kush shikon ëndrra për ri përshtatje, se do teprojnë 300 milionë vit për vit po shikon ëndrra bosh ose ushqen popullin me propagandë”, u shpreh Shehi.

Ndërsa socialisti Erion Braçe, zbriti edhe një herë në sallën e Kuvendit, keqtrajtimin që po u ndodh minatorëve me pensionet prej 3 dekadash.

“Janë nxjerrë në vitin 94-95 në pension të parakohshëm, të pjesshëm, dhe ata vazhdojnë deri sot me atë pension të pjesshëm, edhe pse kanë bërë punë të tjera pasi kanë dalë në pension. Kanë kontribuuar me punë të tjera, dhe atyre nuk ju njihet pensioni i plotë i shoqërisë, por ju njihet ai i 95-ës. Për çdo vit ne ju kemi shtuar 1%, pension suplementar, por ata nuk e marrin ditën kur dalin në pension 55 vjeç por e marrin kur bëjnë 65 vjeç”, tha Braçe.

Situata me pensionet që po dalin gjithnjë e më të ulta, sipas ligjbërësve nuk mund të rregullohet me indeksime dhe arnime skemash, por duhet një rishikim tërësor. Për këtë çështje Ministri i Ekonomisë tha se shumë shpejt do të jetë gati skema e re e rishikuar e pensioneve e ndërtuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

G.M./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb