Investigimi/ Shteti jep 410 mln më shumë, familjet shqiptare shpenzojnë dyfishin nga BE (Shifrat)

Investigimi/ Shteti jep 410 mln më shumë, familjet shqiptare shpenzojnë dyfishin nga BE (Shifrat)

Qeveria planifikon më pak para për arsimin në tre vitet që vijnë. Prioriteti i ulët i qeverisë për arsimin penalizon sidomos universitetet. Kemi siguruar vendin e 135-të në botë për shpenzimet qeveritare në arsim. Por vijojmë të jemi të parët në Europë për shpenzimet familjare për arsimin, me rreth 4.4% të shpenzimeve mujore. Ku shkojnë paratë? Ka universitete që rezultojnë me më shumë se 30 për qind tejkalim të normës së punonjësve administrative. Arsimi i lartë këtë vit merr 8.1 miliardë lekë ose 410 milionë lekë më shumë se një vit më pare. Por…

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, kishte planifikuar të shpenzonte jo më shumë se 960 milionë lekë për të realizuar projekte me financim të brendshëm për vitin 2018. Nëse u hedh një sy formularëve që rektori u kishte dërguar për miratim anëtarëve të Bordit të Administrimit, të bie në sy se financimet as që nuk iu përgjigjen kërkesave të sotme të këtij universiteti dhe as nevojave për një arsim cilësor.

Buxheti për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë rezulton në rritje të lehtë për vitin 2019. Sipas deklarimeve zyrtare, vitin e ardhshëm buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin do të rritet me 1.1 miliardë lekë dhe në total përllogaritet në shumën prej 39.1 miliardë lekësh, nga 38 miliardë që ishte në vitin 2018. Pjesën dërmuese të shpenzimeve, ashtu sikurse edhe për vitin 2018, vitin e ardhshëm e zë arsimi bazë, përfshirë edhe arsimin parashkollor me 22 miliardë lekë, i ndjekur nga arsimi universitar dhe ai i mesëm.

Dukshëm vihet re se arsimi dhe shkenca janë sektorët më pak të privilegjuar sa i takon buxhetit për vitin e ardhshëm. Rritja e buxhetit nga viti në vit për arsimin ka qenë ndër më të ulëtat, krahasuar me ministritë e tjera. 34 miliardë ka qenë buxheti në 2017, 38 miliardë në 2018 dhe 39 miliardë në 2019. Fondet rezultojnë se kanë ndryshuar me një shumë të papërfillshme.

A ka shpërdorim të fondeve në arsim?
Është fakt që buxheti ka rritje me 1.1 miliard lekë për 2019. Ky buxhet për herë të dytë mundëson rritjen e pagave për mësuesit në masën 7% (me efektet financiar 1.3 miliardë lekë). Qeveria “Rama” kërkon që rritja e pagave në arsim të arrijë në masën 40% deri në fund të mandatit. Arsimi i lartë këtë vit merr 8.1 miliardë lekë, ose 410 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Nuk ka një analizë të saktë nëse ky fond do të mund të mbulojë tërësisht pagat e pedagogëve, përpos perceptimit se aktualisht një pjesë e mirë e pagave të tyre mbulohen nga të ardhurat dytësore. MAS ka këmbëngulur se tashmë do të mbulohen 12 muaj pagat e pedagogëve.

Nga të dhënat tona, që konfirmohen edhe nga MAS, në shumë universitete ka një fryrje të stafeve, të cilat sjellin edhe uljen e parave që mund të shkojnë në favor të studentëve. “Ka tejkalim të normës së punonjësve administrativë mbi 33% në disa universitete”, - iu tha ministrja Nikolla deputetëve të Komisionit të Ekomnomisë dhe të Financave në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa raportonte detajimin e buxhetit të ministrisë që drejton.

Por Nikolla nuk tha pse dikasteri i saj ka lejuar që të ketë tejkalim të punonjësve administrativë, që disa herë janë më shumë se 30 për qind nga planifikimi buxhetor. Kjo do të thotë që taksat dhe buxheti nuk shkojnë në arsim, por në punësime pa kriter dhe klienteliste.

Keqfinancimi në shifra
Jo vetëm media, por edhe analizat tona të herëpasherëshme kanë konkluduar në faktin se arsimi vazhdon të mbetet një prioritet i ulët për qeverinë. Pavarësisht deklarimeve zyrtare, referuar shifrave, arsimi në Shqipëri rezulton i keqfinancuar, edhe në krahasim me vendet e tjera, jo vetëm vendet e zhvilluara, por edhe ato pak të zhvilluara.

Shpenzimet qeveritare, shpenzimet e buxhetit të shtetit, të realizuara për vitin 2018 për arsimin ishin planifikuar afërsisht 300 milionë euro. Ky buxhet është sa rreth 2.49 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB).

Në këtë mënyrë, Shqipëria është një nga vendet me shpenzimet më të vogla qeveritare në botë. Duke u mbështetur në të dhënat e vitit të shkuar të Bankës Botërore, Shqipëria renditet jo më lart se vendi i 135-të në botë (nga 193 vende të marra në konsideratë) për nga shpenzimet qeveritare krahasuese për arsimin.

Vendet e BE-së shpenzojnë fonde publike mesatarisht 4.9 për qind e PBB-së, pra pothuajse dy herë më shumë se Shqipëria. Duhet theksuar se Shqipëria ka bërë hap mbrapa në krahasim me vitin 2013, kur shpenzimet e arsimit ishin sa 3.54 për qind e prodhimit të përgjithshëm të vendit, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 116-të në botë. Në krahasim me vitin 2015, përqindja e shpenzimeve të arsimit ndaj PPB-së ka rënë me afërsisht 30 për qind. Shpenzimet qeveritare të planifikuara për arsimin në krahasim me GDP-në kanë ardhur duke u ulur. Në vitin 2018 ato do të jenë rreth 0.9 pikë përqindje, ose një e katërta më pak se sa ato në vitin 2016.

Sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin nga 3.1% - 3.3% e PBB-së më 2018-2019, do të zbresin në 3% në 2020 dhe 2021.

Ulet financimi publik, rriten shpenzimet familjare për arsimin
Përkundër përkeqësimit që vjen nga paratë e buxhetit, pesha e shpenzimeve për arsimin në buxhetin e familjeve shqiptare ka ardhur në rritje vitet e fundit, kryesisht për shkak të rritjes së tarifave në arsimin e lartë publik. Qytetarët po e paguajnë arsimin dy herë: një herë nëpërmjet taksave për shtetin dhe një herë tjetër me tarifat për arsimimin e fëmijëve të tyre.

Në vitin 2014-2015, qeveria shqiptare, me një vendim të posaçëm, rriti tarifat në studimet master me rreth 20 për qind në të gjitha universitet publike. Kjo rritje preku ndjeshëm shpenzimet për arsim të familjeve për shkak se 90 për qind e studentëve frekuentojnë universitet publike.

Shpenzimet për arsim, të cilat zënë 4.4% të buxhetit të familjeve, gjithsej kanë pësuar rritje prej 2.3 pikë përqindje krahasuar me 2015. Pesha e shpenzimeve për arsimin shënoi rekord më 2016 ne krahasim me 1.7% që ishte një dekadë më parë.

Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat (të përllogaritura edhe nga “Monitor”) tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian. Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016 se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero.

Edhe pse buxheti për Arsimin në vitin 2019 shënon një rritje prej 66% më shumë se sa 5 vjet më pare, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për vitin 2018 buxheti për arsimin është 3.83 miliardë lekë, për vitin 2019 është 4,134 miliardë lekë dhe për vitin 2020 është pak më shumë se 5 miliardë lekë. Kjo rritje në vlerë absolute, sikundër ka filluar t’i raportojë tani shifrat Ministria e Financave, nuk arrin ta mbulojë dot mungesën e financimeve në arsim, sidomos në atë universitar, mungesë, e cila shfaqet së fundi edhe në kërkesat e protestës studentore. Ka ardhur koha që rishpërndarja e të ardhurave dhe sidomos politikat e kontrollit dhe monitorimit të përhershëm të financimeve publike dhe ato nga kuotat dytësore të jenë më në fokus të autoriteteve që mbikqyrin dhe monitorojnë arsimin e lartë. Normal që paratë nuk mjaftojnë asnjëherë për arsimin, por shpërdorimi i tyre duhet konsideruar i pafalshëm…

SHPENZIMET E SHTETIT DHE ATO TË FAMILJEVE PËR ARSIM
Fondet e ministrisë së Arsimit dhe Shkencës
Viti 2017  34 miliardë lekë
Viti 2018  38 miliardë lekë
Viti 2019  39 miliardë lekë

Fondet në buxhet për Arsimin
Viti 2018  3.83 miliardë lekë
Viti 2019  4.1 miliardë lekë
Viti 2020  5 miliardë lekë

Fondet për Arsimin sipas kategorive
Për Arsimin e Lartë  8.1 miliardë lekë
Për Arsimin parauniversitar 22 miliardë lekë

Buxhetet për Arsimin të krahasuara
Shqipëria viti 2013  3.54% e PBB
Shqipëria viti 2018  2.49% e PBB
Bashkimi Evropian    4.9% e PBB

Shpenzimet e familjeve për Arsim
Shqipëria 2006  1.7% të buxhetit familjar
Shqipëria 2016  4.4% të buxhetit familjar
Bashkimi Evropian    2.1% të buxhetit familjar
Kroacia    1.1% të buxhetit familjar
Serbia     0.6% të buxhetit familjar
Maqedonia  0.7% të buxhetit familjar
Bosnja     0.7% të buxhetit familjar
Kosova     0% të buxhetit familjar

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë