Investigimi ynë lidhur me procedurat që ka ndjekur ministria e Kulturës për t’u dhënë licensën agjencive të ngarkuara për të vjelur fondet e të drejtës së autorit, të interpretuesve dhe producentëve, zbulon edhe një tjetër abuzim. Këtë herë historia ka të bëjë me emërimin në krye të sportelit unik “Suada” për administrimin e së drejtës së autorit të Erlir Putos, drejtor ekzekutiv i Albautor, agjencia që përfshinte gjithë autorët shqiptarë. “Suada” është sporteli i ri unik i krijuar me ligjin e vitit 2016, i ngarkuar për të vjelur të drejtat e autorëve, interpretuesve dhe producentëve. Më datë 22 qershor 2018 Këshilli Kombëtar për të drejtat e autorit i ministrisë së Kulturës, me vendimin nr.3, pas një procedure të shpejtë, vendos të shkarkojë nga posti i përgjegjësit të “Suada”-s Zamir Sukniqin, përfaqësues i AMP, agjenci që përfaqëson të drejtat e producentëve dhe të emërojë në vend të tij Erlir Puton.
AMP ka një kontratë me pjesën më të madhe të producentëve vendas.
AMP aderon edhe ne IFPI, agjencinë më të madhe botërore të prodhuesve muzikorë, që përfaqëson 1.300 shoqëri prodhuese në 59 vende, duke përfshirë edhe kolosë të tillë si Sony Music, Universal apo Warner Music Group. IFPI është në vijë të parë të betejës botërore kundër piraterisë. Nëpërmjet këtij aderimi AMP raporton në këtë organizate mbi ecurinë e saj , mbi te ardhurat e mbledhura dhe ato te shpërndarja, si edhe ka detyrimin te implementoj dhe zbatoje rekomandimet e kësaj organizate.
AMP është e lidhur me IFPI edhe nëpërmjet Albatrade (një nga anëtarët themelues) qe ka një marrëdhënie me IFPI si anëtar me te drejta te plota. Në faqen zyrtare web të IFPI-së, në listën e anëtareve të pranishëm në Shqipëri gjenden vetëm Albatrade dhe Supersonic, të dyja anëtare edhe të AMP. Të jesh anëtar i IFPI do të thotë automatikisht të përfaqësosh në vendin tënd të gjitha veprimet e të gjitha agjencive të producentëve që janë anëtarë të IFPI. Siç lexohet në këtë dokument, më datë 11 qershor 2018, pra para vendimit mbi shkarkimin e Zamir Sukniqit, IFPI ka informuar edhe ministrinë e Kulturës se dëshironte të vazhdonte të punonte me AMP.
Por emërimi i Erlir Putos në krye të sportelit unik si përfaqësues i Albautorit, vendosur, siç e pamë, nga ministria e Kulturës më 22 qershor 2018 bie ndesh me një vendim të Gjykatës së Apelit të Tiranës të datës 28 maj 2018 , pra 24 ditë para vendimit të ministrisë.
Gjyqtarët, në fakt, kanë vendosur se Erlir Puto nuk është më përgjegjës i Albautor-it, pasi vendimi e Asamblesë që e kishte emëruar ishte anuluar, po ashtu si dhe i gjithë emërimi i Këshillit të Administrimit të shoqatës.
Ka edhe më shume: jo vetëm emërimi i Erlir Putos në krye të sportelit unik bëhet i paligjshëm, por vendimi i Gjykatës ve në dyshim vetë ekzistencën e Albautor-it. Në fakt, sipas vendimit, organet administrative të Albautor duhet të krijohen nga e para duke u nisur nga ortakët themelues të vitit 1992 dhe konsiderohen pa vlerë të gjitha vendimet e marra më pas, duke përfshirë këtu edhe pjesëmarrja e Albautor-it tek sporteli unik.
Një lëmsh ligjor dhe burokratik, i cili, në fakt, le pa kokë sportelin unik që sapo është krijuar dhe që tani ministria e Kulturës duhet ta zgjidhë. Në vendimin e 22 qershorit 2018 ministria e Kulturës kritikon rëndë punën e agjencisë AMP. Por të habit ajo që lexohet në këtë dokument me datë 4 tetor 2017.
Ministria e Kulturës, pikërisht Këshilli Kombëtar i të Drejtës së Autorit, në 10 tetor të vitit 2017 ka përzgjedhur agjencinë AMP si agjencia që plotëson kriteret e parashikuara në ligj dhe që kanë të bëjnë me performancën më të mirë për mbledhjen dhe shpërndarjen e të ardhurave dhe mbulimin më të madh të territorit . Duke vlerësuar maksimalisht organizimin dhe eficiencën e AMP, në datën 10 tetor 2017 shoqata AMP fitoi licensën si Sportel Unik për administrimin e të drejtës së autorit ''SUADA'', pra një super agjenci si One Stop Shop, që ka kompetenca, jo vetëm për të mbledhur të drejtat që u takojnë producentëve, por edhe për autorët dhe interpretuesit.
Por çuditërisht, pas këtij vendimi, në qershor të vitit 2018, i njëjti grup pune që ka shqyrtuar dokumentacionin dhe ka vlerësuar AMP-në si agjencia më e mirë në tetor 2017, ka shqyrtuar të njëjtën agjenci, për të njëjtën periudhë kohe dhe ka konstatuar se tani kjo agjenci nuk është më e mira, duke e shkarkuar nga gjithë funksionet.
Çfarë mund të ketë ndodhur brenda vetëm nëntë muajve për të ndryshuar në masë kaq radikale opinionin e ministrisë së Kulturës?
Në muajt e parë të vitit 2018 emërohet drejtore e përgjithshme e ministrisë së Kukturës Ledina Beqiraj. Familja Beqiraj ka një konflikt personal me AMP: babai i drejtoreshës së përgjithshme, Adil Beqiraj, pronar i shoqërisë GIOAD, ka patur një përplasje të drejtpërdrejtë me AMP, pasi nuk pranoi të paguante 50.000 lekë për të drejtat e autorit për Hotel “Dy kitarat” në Durrës, që ka në pronësi. AMP shkoi në Gjykatë dhe mori një urdhër ekzekutimi që ja ngarkoi një zyre përmbarimore, duke arritur të marrë kështu me forcë likuidimin e faturës për të drejtat e muzikës që ishte luajtur në hotelin e Beqirajt. Konflikti kishte vazhduar deri në fund të vitit 2016.
Për një koincidencë të habitshme, pak javë pasi vajza e Beqirajt, Ledina Beqiraj, të kishte mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të ministrisë së Kulturës, filluan akuzat kundër AMP.
Dhe pikërisht vendimi më i rëndë që është marrë ndaj AMP, është firmosur nga Ledina Beqiraj.
Në rast se objektivi ishte ai që të bëhej edhe më transparent administrimi i të drejtave të autorit, nuk duket se kjo është rruga më e mirë.