Investimet e Huaja Direkte, që hynë në ekonominë shqiptare në tremujorin e katërt të vendit, arritën në 264 milionë euro, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet u rritën me 19%, pas rënies që kishin shënuar në dy tremujorët e mëparshëm dhe rritjes së lartë të tyre prej 53% në tre muajt e parë të vitit, që erdhi si rrjedhojë e disa punimeve të vështira të kryera nga gazsjellësi TAP.
Si rrjedhojë e performancës së lartë të tremujorit të pare dhe të katër, për vitin 2018, investimet e huaja arritën në 1 miliard euro, me një rritje prej rreth 13 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare (shih grafikun (Investimet e huaja në vite), duke shënuar një nivel rekord. Investimet në energji mbajnë peshën kryesore të fluksit të investimeve që hyjnë në vend, me rreth 60%. Vetëm në energji, stoku i investimeve u rrit me 122 milionë euro në tremujorine tretë 2018 dhe 590 milionë euro për gjithë vitin, si rrjedhojë e investimeve nga gazjellësi TAP dhe HEC Devolli, sipas statistikave të BSH.
Enegjia “shpëtoi” investimet; Me çfarë do zëvendësohen TAP dhe Devolli
Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Së bashku, të dy investimet llogariten në rreth 2 miliardë euro, nga të cilat 1.5 miliardë euro janë për gazsjellësin TAP, sipas burimeve zyrtare.
Statistikat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në 2 miliardë euro në fund të 2018, duke zënë 27% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave (shih grafikun: Stoku i investimeve të huaja sipas aktivitetit ekonomik). Pa këto dy investime, stoku i investimeve në 2018-n do shënonte një rritje minimale dhe do ishte rreth 5.4 miliardë euro në fund të tremujorit të tretë 2018, nga 7.3 që rezulton realisht, ose 37% më i ulët (shiko grafikun: Stoku i investimeve me dhe pa energjinë).
Por këto investime po shkojnë drejt fundit. Burime zyrtare nga TAP thanë se punimet për ndërtimin e gazsjellësit janë drejt përfundimit dhe në vitin 2020, TAP do të transportojë sasinë e parë të gazit nga kufiri turko-grek, nëpërmjet Shqipërisë drejt Italisë.
Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) është projekti më i madh i zbatuar ndonjëherë në Shqipëri, me një investim total prej rreth 1.5 miliardë eurosh për ndërtimin e seksionit shqiptar, i gjatë 215 km, duke përfshirë kostot e tubave, stacionin e kompresorëve dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit.
Në Shqipëri ka përfunduar tërësisht pastrimi i gjurmës së gazsjellësit dhe rreth 99% e tubave janë salduar. Më shumë se 200 kilometra gazsjellës tashmë është nëntokë dhe toka, pasi i është kthyer të zotëve, po kultivohet përsëri, thanë burimet zyrtare. Pra me përafërsi, deri në fund të vitit 2018, mbi 95% e gjithë punimeve për seksionin tokësor të TAP në Shqipëri ka përfunduar.
Gjatë vitit 2018, TAP nisi edhe punimet për seksionin detar. Pika e daljes së TAP në detin Adriatik është pranë qytetit të Fierit dhe punimet po zhvillohen sipas kalendarit të paracaktuar, duke parë drejt perëndimit. Segmenti detar i gazsjellësit në detin Adriatik është i gjatë 105 km dhe rreth 15% e punimeve kanë përfunduar.
Edhe kompania Statkraft, që po ndërton hidrocentralet mbi Devoll, ka përfunduar hidrocentralin e Bënjës dhe po ndërton HEC-in tjetër të Moglicës, një investim prej rreth 300 milionë eurosh, që pritet të përfundojë brenda dy vitesh. MONITOR