Krisja mes Edi Ramës dhe Dritan Lelit po reflektohet edhe në inspektimin e punimeve në qytetin e Vlorës. Ndërsa kryeministri Edi Rama paraditen e sotme inspektoi punimet në Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë i shoqëruar nga nënkryetari i bashkisë, Afrim Qëndro dhe deputeti Damian Gjiknuri, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli ka zgjedhur të inspektojë punimet në rrugën e Drashovicës në periferi, kjo edhe për të shmangur njëri-tjetrin.

“Ka nisur sot ndërhyrja e kërkuar prej banorëve në rrugën Drashovica, lagjen e vjetër Partizani. Skarifikimi i shtresës së asfaltit, riparimi, riasfaltimi dhe vijëzimi janë hapat që do të ndiqen në ditët në vazhdim. Do të punojmë çdo ditë, deri në fund të projektit për riasfaltimin dhe riparimin e rrugëve të qytetit”, shkruan Dritan Leli.

Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në qytetin bregdetar të Vlorës, ku ka shmangur edhe daljet me Lelin. Rama pritet të qëndrojë në Vlorë deri të dielën, ku sipas burimeve për Report Tv ai do të zhvillojë një mbledhje të PS në teatrin ‘Petro Marko’, teatri simbol i përplasjeve mes Dritan Lelit dhe Këshillit bashkiak të Vlorës. Këshilli kërkon të organizojnë mbledhje fizike në teatër, ndërsa Leli refuzon me arsyetimin se nuk mund të bëhet për shkak të rregullave të vendosura për pandeminë.