Në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat është shqyrtuar projektligji “për një shtesë në ligjin nr. 9710, datë 10.4.2007 ‘Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, nismë e deputetes Zamira Sinaj.

Gjatë fjalës së saj, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se ligji për investimet strategjike duhet t’i ndalojë efektet e tij, pasi sipas saj, është një ligj që jep asete publike pa garë.

Po ashtu, Tabaku tha se ligji për investimet strategjike lindi për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri, gjë që sipas deputetes demokrate nuk ka ndodhur.

Tabaku shtoi gjithashtu se janë mbi 80 investime strategjike që janë të gjitha me përfitues të njëjtët që marrin tendera dhe koncesione.

“Ligji i investimeve strategjike lindi si një ligj i përkohshëm dhe u kthye në të përhershëm. Unë kam bërë propozime për secilin prej këtyre ndryshimeve, kam kërkuar edhe që ky ligj t’i ndalojë efektet e tij. Ligji i investimeve strategjike është një ligj që jep asete publike pa garë.

Cili nga investimet strategjike që ka dhënë qeveria shqiptare ka edhe porte? Cili investim strategjik ka kërkuar që të ketë një procedurë për port dhe pse qeveria shqiptare nuk realizon një procedurë gare për dhënien e portit? Por duhet që këtij favori t’i japim një favor tjetër që është edhe porti.

Ligji i investimeve strategjike lindi për të tërhequr investime të huaja. A ka qeveria shqiptare një analizë, ligji i investimeve strategjike sa investime të huaja ka sjellë? A numëron dot më shumë se 3 që janë investime të huaja? Janë mbi 80 investime strategjike që janë të gjitha me përfitues të njëjtët që marrin tendera dhe koncesione”, tha mes të tjerash Tabaku.

Ndërkohë nga ana tjetër, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama, është shprehur se Shqipëria po punon për vënien në zbatim të rekomandimeve të Bashkimit Europian për hartimin e ligjit të unifikuar të investimeve.

Sipas zv.ministres, ligji i unifikuar i investimeve është përgatitur në 90% të tij. Ajo shtoi se qeveria po adreson të gjitha shqetësimet e ngritura nga raport-progresi i BE-së, për të gjitha handikapet ligjore me të cilat përballen investitorët, si dhe për garantimin e titullit ligjor të pronësisë mbi tokën.

“Kemi një plan pune shumë të dedikuar përsa i përket afateve të çdo kapitulli për t’u përmbushur për në BE. Raport-progresi i BE ka reakomanduar që Shqipëria duhet të hartojë ligjin e unifikuar të investimeve dhe të adresojë të gjitha handikapet ligjore me të cilat përballen investitorët, si dhe të garantojë titullin ligjor të pronësisë mbi tokën. Kapitulli 20 për momentin është në fazë pune intensive.

Ligji i unifikuar i investimeve është përgatitur në 90% të saj. Ndryshimi ligjor në këtë rast për këtë projektligj që kemi sjellë, nuk nënkupton se marinat dhe jahtet apo portet turistike nuk do t’i nënshtrohen kuadrit ligjor të koncesioneve. Përkundrazi, ashtu si parashikon ligji, për këto infrastruktura do të nënshkruhen kontrata koncesionare dhe pas përdorimit nga ana e investitorit, portet turistike do të transferohen në pronësi të shtetit. Ajo çfarë bën ky ndryshim ligjor, është thjeshtë heqja e procedurave...”, tha mes të tjerash Blerta Rama.

R.Xh/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 4 Prill, 10:21

    Nafta arrin në 224 lekë/litri, a është e mjaftueshme vetëm ulja e akcizës?