DURRES- Investimi më i fundit është kthyer në anomalinë e radhës. “Woonerf” janë trotuare të valëzuara të cilat edhe pse rruga është e drejtë, ato deformojnë trajektoren e lëvizjes së automjeteve në formë vale, duke shtuar trafikun dhe duke u bërë rrezik për aksidente”.

Me kameran tonë vezhguam levizjen e mjeteve në rrugën “Adria”, që lidh urën e Dajlanit me Stacionin e Trenit, ku keto valezime po kthehen ne burim per aksidente, pasi rruga ngushtohet ne rrethrrotullim....

“Jemi kundër sepse devijon lëvizjen nga dy në një korsi kur hyn në rrethrrotullim dhe bëhet burim për aksidente”, thane drejtuesit e mjeteve.

Por nëse kërkon informacion pranë Bashkisë Durrës për këtë projekt, nuk ka një shpjegim për funksionin e kësaj ndërhyrje.

Në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, bashkia përgjigjet: “Rrethrrotullimi është konceptuar me dy korsi qarkullimi, të cilat sigurojnë shpërndarje funksionale të fluksit të automjeteve dhe manovrim të sigurt. Sipërfaqja e gjelbër qendrore dhe ndarëse është trajtuar në mënyrë të harmonizuar me elementët rrugorë, duke përmirësuar aspektin estetik dhe duke theksuar vizualisht sensin e rrethrrotullimit. Në këtë fazë, sinjalistika rrugore dhe shtresat përfundimtare të asfaltit nuk janë përfunduar ende dhe do të realizohen në fazën përmbyllëse të punimeve.”

Teknika “Woonerf street” eshte aplikuar në vendet perëndimore vetëm në zonat urbane apo hapësira publike për të ulur shpejtësinë e mjeteve, por në Durrës po aplikohet në dy arteriet kryesore të qytetit, rruge interurbane, që në çdo orë të ditës kanë trafik të rënduar.

Projekti per rikonstruksionin e rruges “Adria” është hartuar dhe po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Durrësit me financim nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH).