Komisioni Europian deklaroi sot për Report TV se ende nuk kanë marrë një kërkesë nga autoritetet shqiptare për t'i besuar fondet e IPARD III dhe rrjedhimisht sipas tyre, ende nuk mund të flitet për një afat konkret se kur këto fonde do të hyjnë në fuqi për Shqipërinë.
Lidhur me këtë reagim, Alban Zusi, ish-zv.ministër i Bujqësisë dhe kreu i Shoqatës së Eksportuesve, tha në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV se fondet IPARD janë tejet të rëndësishme për bujqësinë shqiptare dhe sipas tij, duhet të bëhet çdo përpjekje për zhbllokimin e tyre.
Ai tha se edhe progresi apo regresi në bujqësi gjatë viteve të fundit është i lidhur drejtpërdrejtë me praninë apo mungesën e fondeve IPARD.
Zusi shtoi gjithashtu se Fondet IPARD kanë aftësinë për të gjeneruar 3-4 fishin e investimeve, pasi sipas tij, sipërmarrësit pasi i futen kësaj ‘aventure’, motivohen që të investojnë edhe para nga kursimet e tyre.
“Unë kam qenë dhe dua të vazhdoj të jem optimist, pavarësisht këtij lajmi që duhet lexuar dhe parë se çfarë ka pas tij. Shpesh herë unë e di se nga stafet teknike ka edhe problematika në Ministrinë e Bujqësisë. Unë dua të vazhdoj ta besoj derisa të ketë një konfirmim zyrtar nga institucionet publike, nga ministria, se ka diçka e cila mund ta pengojë, pasi nga komunikimet që kemi pasur me Ministrinë e Bujqësisë na është thënë se është duke u punuar intensivisht, për vetë rëndësinë që kanë këto fonde. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Unë e kam thënë se duhet parë rrënjët e progresit të Bujqësisë te fondet e IPARD, por them se edhe regresi që ka pësuar bujqësia gjatë 2-3 viteve të fundit lidhet me mungesën e këtyre fondeve të IPARD. Fondet IPARD kanë aftësinë për të gjeneruar 3-4 fishin e investimeve, pasi çdo sipërmarrës serioz që ka investuar me fondet e IPARD, në harkun e 1-2 viteve nëse ka marrë 5 nga IPARD, ai ka investuar 15. Këto fonde janë ekstremisht të rëndësishme”, tha mes të tjerash Zusi.
Nga ana tjetër, eksperti i Bujqësisë, Ilir Pilku hodhi poshtë deklaratat e Ministrisë së Bujqësisë se fondet IPARD III mund të hapeshin brenda muajit shtator.
Pilku duke bërë një përllogaritje të proceseve në të cilat duhet të kalojë rihapja e këtyre fondeve, tha se mund të duhet mbi 1 vit që IPARD III të hyjë në fuqi në Shqipëri.
Ai deklaroi gjithashtu se Brukseli po tregohej ‘më i egër’ me Shqipërinë, pasi sipas Pilkut, abuzime me fondet e BE-së për Bujqësinë ndodhin edhe në Greqi (madje në vlerën 400 milionë euro), por fondi atje rihapet shumë më shpejtë.
“Kemi 2 tablo. Tabloja e parë lidhet me çfarë bëhet me paratë e taksapaguesve europianë. Çfarë masash janë marrë për të kthyer këtë vlerë, atë vlerë që në fund do të negociohej. Pretendimi prej 33 milionë eurosh që Shqipëria duhet t’i kthejë Brukselit, për mua është një vlerë e jashtëzakonshme e lartë. Detyrimi prej 33 milionë eurosh që OLAF pretendon, është një vlerë jashtëzakonisht e lartë. Pra i bie që ne kemi abuzuar me 45% të fondit që ne kemi në dispozicion.
Kjo për mua është jashtë çdo logjike. Unë besoj se AZHBR e ka kryer veprimin e saj juridik. Pra ato subjekte që pretendohet nga 8 ekspertët që kanë ardhur në shkurt 2019 në Shqipëri, i ka zbatuar. Pra të gjithë janë në procese gjyqësore për rikthimin e vlerave. Ndoshta Brukseli është edhe më shumë i egër dhe rigoroz me Shqipërinë, pasi është hera e parë që ne marrim këto fonde. Ne kemi Greqinë që para tre muajsh dhe vazhdon diskutohet akoma 400 milionë euro abuzime, kryesisht në zonën e Kretës që janë marrë nga oligarkë, ndërkohë që pardje është rihapur përsëri fondet e BE-së për Greqinë. Ndërkohë te ne kanë që nga 23 korriku 2023 të mbyllura dhe po ecet me një ecuri që po digjet edhe IPARD III. Kjo sepse BE kërkon paratë mbrapsht.
Tani dalim te pika që a hapet apo nuk hapet në shtator si kanë pretenduar zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë. Është një pretendim me nota optimiste, sepse edhe nëse Brukseli e mbyll çështjen e IPARD II, Shqipëria duhet të nisë procesin e riakreditimit, që merr një kohë të gjatë. Pastaj kur ata janë të sigurt se paratë mund të menaxhohen në mënyrën e duhur, ata japin letrën e mirëbesimit, që të hapet IPARD III. Pastaj pas letrës, duhet të niset me akreditimin e masave të IPARD III. Unë e shikoj një periudhë kohe 1-vjeçare dhe më gjatë”, tha Pilku.
Lajmi kryesor:
Fondet evropiane për Bujqësinë, KE për Report TV: S’ka afat për nisjen e IPARD III!








