Irani ka bërë prapaktheu dhe duket se nuk do tërhiqet nga faza finale e Kupës së Botës 2026, me vendin e Lindjes së Mesme që është shortuar në Grupin G së bashku me Belgjikën, Zelandën e Re dhe Egjiptin.

Ahmad Donyamali, ministri i Spotit të Iranit deklaroi gjashtë ditë më parë se vendi i tij do tërhiqej nga Kupa e Botës 2026, për shkak të sulmit të SHBA-së dhe Izraelit në vendin e tij dhe vrasjes së Liderit Suprem të Republikës Islamike, Ayatollah Ali Khamenei. Tanimë duket se Irani ka bërë prapakthehu dhe po i kërkon FIFA-s që ndeshjet e Iranit të zhvendosen nga SHBA-ja dhe të luhen në Meksikë.

Federata Iraniane e Futbollit po 'negocion' me FIFA-n për të zhvendosur ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Botës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Meksikë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, njoftoi Ambasada Iraniane në Meksikë.

“Meqenëse presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar shprehimisht se nuk mund të garantojë sigurinë e ekipit kombëtar iranian, ne sigurisht nuk do të shkojmë në Amerikë”, tha presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, në një deklaratë të postuar në llogarinë 'X' të ambasadës. “Aktualisht po negociojmë me FIFA-n që ndeshjet e Kupës së Botës të Iranit të zhvillohen në Meksikë”, shtoi ai.

Ndeshjet e Iranit kundër Zelandës së Re dhe Belgjikës janë programuar për t'u zhvilluar në qytetin Inglewood të Kalifornisë, teksa sfida kundër Egjiptit për në Seattle.

Duket se Irani nuk do tërhiqet nga Kupa e Botës dhe programi i ndeshjeve do vijojë rregullisht, me iranianët që kërkojnë t'i luajnë të treja ndeshjet e grupeve në Meksikë.

Kupa e Botës 2026 do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.