Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2023, Narges Mohammadi, është dënuar me gjashtë vite burg në Iran. Lajmi u bë i ditur nga avokati i saj, Mostafa Nili, sipas të cilit Mohammadi ndodhet e burgosur që nga fillimi i dhjetorit në burgun e Mashhadit.
“Është dënuar me gjashtë vite burg për shoqërim kriminal dhe bashkëpunim për kryerjen e veprave penale,” deklaroi Nili, duke shtuar se ndaj saj është vendosur gjithashtu edhe një ndalim dyvjeçar për të dalë nga vendi.
Sipas avokatit, Mohammadi ka marrë edhe një dënim shtesë prej një viti e gjysmë burg për “veprimtari propagandistike”, si dhe internim për dy vite në qytetin Khosf, në provincën lindore të Khorasanit Jugor.
Në një deklaratë të fondacionit të drejtuar nga familja e saj thuhet se Mohammadi më 14 dhjetor ka nisur një grevë urie për të “protestuar kundër ndalimit të saj të paligjshëm dhe kushteve të rënda në të cilat mbahet, kushte me të cilat përballen edhe shumë të burgosur të tjerë politikë në Iran”.
Aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut dhe kundërshtare e vendosur e regjimit iranian, Mohammadi ka kaluar pjesën më të madhe të viteve të fundit në burg, për akuza të ndryshme, përfshirë propagandë kundër shtetit. Ajo ishte liruar përkohësisht në dhjetor të vitit 2024 për arsye shëndetësore, pasi vuan nga disa probleme serioze, përfshirë sëmundje të zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.
I biri, Ali Rahmani, ka shprehur “shqetësim të thellë” për gjendjen e nënës së tij dhe për fatin e të gjithë të burgosurve politikë në Iran.
Komente






