Negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të mbahen më 6 shkurt në Oman. Këtë e kanë bërë të ditur për faqen Amwaj disa burime iraniane, duke sqaruar se për momentin nuk parashikohen bisedime të drejtpërdrejta, pra me të dyja palët në të njëjtën dhomë.

Edhe faqja amerikane Axios ka raportuar se bisedimet do të zhvillohen në Oman, duke cituar një burim arab sipas të cilit administrata Trump ka pranuar kërkesën e Teheranit për ta zhvendosur vendin e negociatave nga Turqia në Muskat, ndërsa ende janë në vijim konsultimet mbi pjesëmarrjen e mundshme të zyrtarëve nga rajoni. Një burim i ka thënë Amëaj se i vetmi zyrtar që mund të jetë i pranishëm është kryeministri i Katarit.

Edhe pas incidenteve në Gjirin Persik, Shtëpia e Bardhë përsërit se “takimi është i konfirmuar dhe se presidenti amerikan është i angazhuar për diplomacinë”.

Në të njëjtën kohë, lideri amerikan ka paralajmëruar se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë” nëse negociatat dështojnë. Ministri i Jashtëm iranian Abbass Araghchi ka mandatin që për momentin të trajtojë vetëm çështjen e programit bërthamor, por në fillim të janarit Trump kërcënoi se ishte gati të sulmonte teksa në ato ditë, sipas tij, regjimi kishte vrarë mbi 30 mijë persona që kishin dalë në rrugë për të protestuar.

Corriere della sera shkruan se në prag të takimit është kërkuar anulimi i ftesave si vëzhgues për Turqinë dhe për disa vende arabe. Në këtë rast negociatat mes Steve Ëitkoff, Jared Kushner dhe Abbas Araghchi, ministrit të Jashtëm të dërguar nga Teherani, do të shndërroheshin në një takim ballë për ballë.

Në Lindjen e Mesme SHBA kanë vendosur rreth 10 luftanije, më e madhja nga të cilat Abraham Linkoln rrëzoi një dron Iranian I cili iu afrua. Ngjarja mesa duket nuk ka ndikur tek nisja e bisedimeve, ndërsa mediat e kanë interpretuar afrimin e dronit Iranian tek lufanija amerikane një provokim për të parë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë amerikane, e cila qëndron gati në rajon për një sulm të mundshëm.