Vdes një Udhëheqës Suprem dhe krijohet një tjetër, djali i tij. Vdes një Larijani dhe ka të paktën tre vëllezër të tjerë gati për të zënë vendin e tij.
Njëri është Sadegh Amoli Larijani, i cili ka qenë kreu më i ri i sistemit gjyqësor, një hallkë lidhëse mes tregtarëve dhe strukturës burokratiko-fetaro-ushtarake që mban Iranin nën kontroll. Ai mban turbanin e bardhë të një kleriku që nuk pretendon prejardhje familjare deri te Profeti Muhamed, por megjithatë ka mundësi të mira për të pasuar Mojtaba Khamenein nëse edhe ky largohet nga skena. Sadegh nuk do të tërhiqej.
I dyti nga vëllezërit është Mohammad Javad Larijani, këshilltar i ish-Udhëheqësit Suprem dhe “rojtar” i një Komiteti të të Drejtave të Njeriut në vend. Reputacioni i tij është ai i një njeriu që preferon të qëndrojë në hije, një lloj këshilltari.
I treti është Bagher Larijani, “delja e zezë”, i ngritur lart nga aftësitë e të tjerëve.
Të gjithë janë bij të ajatollahut të madh Amoli, të gjithë të martuar brenda elitës së teokracisë dhe të lidhur me figurat e luftës kundër Irakut. Janë mësuar të studiojnë, të analizojnë dhe të veprojnë. Aliu, i cili u vra të martën nga izraelitët, kishte qenë pjesë e Gardës Revolucionare në front, por pasi mbijetoi u kthye në banka dhe u bë ekspert i Immanuel Kant. Jo thjesht një admirues, por autor i të paktën gjashtë veprave mbi marrëdhënien mes filozofisë dhe matematikës. Ishte i shkëlqyer si në shtypjen e protestave të të rinjve iranianë, ashtu edhe në argumentimin e lidhjes mes mendimit shkencor perëndimor dhe teologjisë së Udhëheqësit fetar në themel të Republikës Islamike.
Familja Larijani ka shumë ngjashmëri me dinastinë Kennedy në Amerikë: jashtëzakonisht të pasur, karizmatikë, vizionarë dhe ambiciozë nga detyrimi i lindjes. Duke e “prerë kokën” e regjimit me bomba herë pas here, herët a vonë Irani mund të fillojë të lëkundet, por në një vend me mbi 90 milionë banorë ekziston një rezervë e pafundme elitash të nivelit të dytë.
Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë e trajtimit të Republikës Islamike bie në një thënie të vjetër, të përqafuar nga Giacomo Matteotti dhe Thomas Sankara: mund të vrasësh një njeri, por jo idetë e tij. Janë shumë ata që ende besojnë te Revolucioni dhe te pavarësia nga kapitalizmi i korruptuar, më shumë sesa te liria.
Ajo që e bën edhe më të vështirë ndryshimin e regjimit në Teheran është fakti se rezistenca kombëtare dhe mbijetesa personale janë të ndërthurura. Udhëheqësit e sotëm, në çdo nivel, nga kryetari i bashkisë te komisioneri i lagjes, deri te klanet si ai Larijani, e dinë se nëse populli del në rrugë, nuk do të ketë të ardhme për ta dhe për fëmijët e tyre. Si hierarkët e fundit fashistë në Itali, janë të vetëdijshëm për rrezikun e linçimit.
Ka gjasa që elita iraniane të mos besojë më në idenë për t’ia nënshtruar pushtetin politik dhe ekonomik një kaste ajatollahësh të devotshëm, por nuk beson se ka alternativa.
Një shembull i qartë është Ahmed Vahidi, komandanti i ri i Gardës Revolucionare pas vrasjes së paraardhësit në ditën e parë të luftës. Nëse largohet jashtë vendit, rrezikon arrestimin si organizator i atentatit të vitit 1994 në Buenos Aires kundër një shoqate hebraike, ku humbën jetën 85 persona. Nëse qëndron në Iran pa pushtet, mund të japë llogari për represionin ndaj qytetarëve të tij. Megjithatë, ai konsiderohet i përshtatshëm për rolin: ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm dhe njeh mirë mekanizmat e sistemit. Ka lënë zyrën për t’u rikthyer në uniformë.
Për të zëvendësuar Larijanin në Komitetin e Mbrojtjes mund të propozohet Said Jalili, ish-negociator për çështjen bërthamore, më radikal se ai që u vra. “Jalili do të mbyllte edhe mundësinë e kufizuar për një zgjidhje diplomatike. Vizioni i tij është pothuajse apokaliptik”, thotë Faramand Alipour, gazetar politik i njohur që u largua në Itali në vitin 2011 dhe një nga zërat kryesorë të diasporës.
“Yje në ngritje", shton Alipour, “janë dy gjeneralë të Gardës Revolucionare: Eskandar Momeni, aktualisht ministër i Brendshëm, dhe Ahmadreza Radan, një nga më të urryerit nga opozita. Mbi të gjithë, sidomos pas vdekjes së Ali Larijanit, mbetet Mojtaba Khamenei, ‘Biri’, me pesëmbëdhjetë vite në qendër të pushtetit.”
Ende nuk është koha për liderë të improvizuar./ Corriere della Sera
Komente











Shteti Iranian eshte i popullit Iranian dhe dote mbetet i popullit dhe jo i Amerikaneve dhe Izraeliteve qe duan vetem te vjedhin dhe ta varferojne kete popull keta jane vetem vrasesit e popujve dhe mbeshteten nga qeveria Shqipetare Turp per kombin tone qe kemi kesoj Qeverije.
Përgjigju