Irani ka vendosur të martën në Teheran një poster gjigant dhe pankarta me mesazhe ku premtohet vrasja e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e çuar në një nivel të ri retorikën zyrtare të shfaqur në kryeqytet.
“Do ta vrasim Trumpin”, shkruhej në posterin gjigant në sheshin e frekuentuar Enghelab në Teheran. Në poster, presidenti amerikan paraqitej pas hekurave, me kokën e ulur.
Një tjetër poster paraqiste Trumpin së bashku me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me fytyra të gjakosura dhe kostume të grisura, me sfondin e flamujve të dëmtuar të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Dhjetëra njerëz u mblodhën në shesh, duke valëvitur flamuj të kuq dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Do të ketë gjak”, ndërsa bënin thirrje për hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet SHBA-Izrael më 28 shkurt, duke shkaktuar luftën në Lindjen e Mesme.
Posterë dhe instalacione të reja, që tallin Trumpin, bëjnë thirrje për hakmarrje ndaj tij dhe shpallin fitoren ndaj Shteteve të Bashkuara në luftë, janë vendosur shpesh në zona të ndryshme të Teheranit.
Lajmi kryesor:
Konflikti në Lindjen e Mesme/ SHBA-të godasin ishullin Qeshm: Ishte sulm mbrojtës! Irani kërcënon Trump-in: Do ta vrasim




