Sulmuesi dhe kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, pas përfundimit të ndeshjes ndaj Egjiptit (1-1), ku vendimet e VAR-it u bënë sërish objekt polemikash.
'Bomberi' iranian e cilësoi organizimin e turneut si një dështim të madh, duke theksuar se premtimet e bëra nga FIFA nuk janë mbajtur.
“Ky Botëror është një katastrofë. E them me bindje, sepse FIFA duhet të ishte këtu për të zgjidhur problemet, por deri tani nuk ka bërë asgjë”, deklaroi Taremi.
33-vjeçari zbuloi se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte vizituar skuadrën iraniane pas ndeshjes së parë kundër Zelandës së Re, duke u premtuar lojtarëve se vështirësitë e hasura do të zgjidheshin.
“Na tha se ishte vetëm fillimi dhe se gjithçka do të sistemohej. Por faza e grupeve përfundoi dhe asgjë nuk ka ndryshuar”, u shpreh sulmuesi.
Taremi foli edhe për problemet logjistike që ka hasur delegacioni iranian, të ndikuara nga konflikti në vendin e tij. Sipas tij, shumë pjesëtarë të stafit nuk kanë mundur të sigurojnë vizat e nevojshme, ndërsa skuadra është detyruar të udhëtojë vazhdimisht drejt Tijuanas pas çdo ndeshjeje në SHBA.
“Të gjithë ata që duhet të na ndihmonin me logjistikën nuk kanë mundur të pajisen me viza. Si është e mundur që pas çdo takimi të fluturojmë drejt Tijuanas? Ne i duam njerëzit atje dhe e respektojmë Meksikën, por jemi profesionistë dhe marrim pjesë në një event profesionist. Kjo që po na ndodh nuk është e drejtë”, përfundoi Taremi.
Irani barazoi mëngjesin e të shtunës 1-1 kundër Egjiptit duke shpresuar për një vend në 1/16-at si një nga tetë ekipet më të mira të vendeve të treta.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente




