Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj Iranit ditën e sotme, pas refuzimit të propozimit amerikan me 14 pika që synonte t'i jepte fund konfliktit dhe të hapte rrugën për negociata intensive.

Duke komentuar dokumentin e paraqitur nga Irani për t'i dhënë fund luftimeve, Trump tha se 'armëpushimi' ndodhet në 'terapi intensive' dhe sipas Presidentit amerikan, me kushtet e propozuara nga Irani (ku nuk përmendej çështja e programit bërthamor iranian dhe rezervat e uraniumit të pasuruar), një armëpushim afatgjatë mes dy vendeve ka 1% shanse të realizohet.

Komentet e Trump vijnë pasi media amerikane Axios njoftoi se Donald Trump do të takohet me Këshillin e Sigurisë Kombëtare në SHBA mbrëmjen e sotme, ku pritet të shqyrtohet opsioni i rinisjes së veprimeve ushtarake në Iran.

Mes negociatave dhe tensioneve me SHBA-në, Irani ka sinjalizuar edhe afrimin me Kinën. Ambasadori iranian në Pekin, Abdolreza Rahmani Fazli, deklaroi se Teherani mbështet planin me katër pika të presidentit kinez Xi Jinping për sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët në rajonin e Gjirit Persik.

Nga ana tjetër, ditën e sotme ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian miratuan të hënën sanksione ndaj kolonëve izraelitë të përfshirë në dhunë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme po thellohen edhe më shumë. Bëhet fjalë për izraelitët që jetojnë në kolonitë hebreje të ngritura në territoret palestineze të pushtuara, të konsideruara të paligjshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Vendimi u bë i mundur pasi qeveria e re hungareze hoqi veton që kishte bllokuar prej muajsh marrëveshjen. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se “ishte koha të kalonim nga bllokimi te veprimi”, duke shtuar se “ekstremizmi dhe dhuna kanë pasoja”.

Reagimi i Izraelit ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar e quajti vendimin e BE-së “të motivuar politikisht” dhe pa asnjë bazë reale.

“Është tronditëse që BE zgjodhi të bëjë një krahasim mes qytetarëve izraelitë dhe terroristëve të Hamasit. Është një ekuivalencë morale tërësisht e shtrembëruar”, shkroi ai në X.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:53
Përpjekjet për të rritur presionin, SHBA-të vendosin sanksione të reja ndaj Iranit

1777746735_luftaniran.webp

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të reja, të cilat synojnë rritjen e presionit ekonomik mbi Iranin.

Një postim në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit të SHBA-së thotë se masat do të prekin 12 individë dhe subjekte "për rolet e tyre në mundësimin e shitjes dhe dërgimit të naftës iraniane në Republikën Popullore të Kinës nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC)”.

“Ndërsa ushtria e Iranit përpiqet me dëshpërim të riorganizohet, ‘Tërbimi’ Ekonomik do të vazhdojë ta privojë regjimin nga fondet për programet e tij të armëve, ndërmjetësit terroristë dhe ambiciet bërthamore”, tha shefi i Thesarit, Scott Bessent.

"Thesari do të vazhdojë ta shkëpusë regjimin iranian nga rrjetet financiare që përdor për të kryer akte terroriste dhe për të destabilizuar ekonominë globale", shtoi ai.

Sanksionet do të synojnë kompanitë e lidhura me Teheranin, përfshirë nëntë firma, disa prej të cilave janë të bazuara në Hong Kong, sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Ora 22:18
Sondazhi i Reuters/Ipsos: Amerikanët të pakënaqur me Trump për luftën me Iranin

1778220052_donaldtrump.JPG

Dy nga tre amerikanë mendojnë se Presidenti Donald Trump nuk e ka shpjeguar qartë pse e çoi vendin në luftë me Iranin.

Këto janë rezultatet e një sondazhi katër-ditor të Reuters/Ipsos, i cili zbuloi shqetësime të thella në lidhje me rritjen e çmimeve të benzinës dhe gjithashtu tregoi se shumë votues po ua hidhnin fajin për problemet e tyre republikanëve të Trump, të cilët do të kërkojnë të mbrojnë shumicën e tyre në Kongres në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit.

Megjithatë, anketa e përfunduar sot tregoi gjithashtu se vlerësimi për veprimet e Trump është rritur pak nga niveli më i ulët i mandatit të tij.

Më shumë se dy muaj pas fillimit të konfliktit, 66% e të anketuarve, përfshirë një në tre republikanë dhe pothuajse të gjithë demokratët, thanë se Trump nuk i kishte "shpjeguar qartë qëllimet e përfshirjes ushtarake amerikane në Iran".

Rreth 63% e të anketuarve thanë se gjendja financiare e familjeve të tyre ishte goditur nga rritjet e fundit të çmimit të benzinës, me rreth 55% në muajin mars.

Por 36% e amerikanëve thanë se e miratonin performancën e Trump, dy pikë përqindje më shumë që nga një sondazh i Reuters/Ipsos në fund të prillit, sipas të cilit vetëm 34% e të anketuarve ishin dakord me veprimet e Trump, rekordi më i ulët për mandatin e tij të dytë në detyrë.

Ora 21:49
Kryeparlamentari i Iranit: Forcat tona të armatosura janë të gatshme t'i përgjigjen çdo agresioni

1777042380_mohammadbagherghalibaf.webp

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, është shprehur se forcat e armatosura të vendit të tij janë të gatshme t’i përgjigjen çdo agresioni.

Komentet Ghalibat i bëri pas ashpërsimit të retorikës së Presidentit Donald Trump ndaj Irani, teksa Teherani hodhi poshtë propozimin me 14 pika të SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit.

"Forcat tona të armatosura janë të gatshme t'i përgjigjen në mënyrë shembullore çdo agresioni: strategjitë dhe vendimet e gabuara do të kenë gjithmonë një rezultat të gabuar, e gjithë bota e ka kuptuar tashmë këtë. Ne jemi të gatshëm për të gjitha opsionet: ata do të mbeten të habitur", shkroi Ghalibaf në rrjetin social ‘X’, pasi Donald Trump tha se armëpushimi me Iranin është në udhëkryq.

Ora 20:00
Axios: Trump takohet sot me ekipin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, po shqyrton mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Teheranit

1778441069_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Teheranit dhe për këtë arsye do të takohet sot me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar hapat e ardhshëm në luftën me Iranin, thanë tre zyrtarë amerikanë për Axios.

Sipas burimeve, Trump dëshiron një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit, por refuzimi i Iranit për të pranuar shumë nga kërkesat e tij dhe mosgatishmëria e tij për të bërë lëshime të rëndësishme në programin e tij bërthamor e kanë rikthyer opsionin ushtarak në tryezë.

Shtetet e Bashkuara kanë pritur 10 ditë për përgjigjen e Iranit ndaj propozimit për t'i dhënë fund luftës. Shtëpia e Bardhë fillimisht ishte optimiste se qëndrimi i Iranit do të tregonte përparim drejt një marrëveshjeje. Megjithatë, përgjigjja e së dielës nuk ishte pozitive dhe Trump, duke folur me gazetarët, e quajti atë "të tmerrshme".

Në takim pritet të marrin pjesë Zëvendëspresidenti Vance, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff, Sekretari i Shtetit Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Hegseth, Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, Drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Ora 19:35
'Propozim plehrë'– Trump sulmon Iranin dhe vë në dyshim armëpushimin: Ka vetëm 1% shanse të realizohet

Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj Iranit të hënën, duke deklaruar se vendi është i ndarë mes “të moderuarve që duan të arrijnë marrëveshje dhe të çmendurve që duan të luftojnë deri në vdekje”.

“Në Iran ka njerëz të moderuar që duan marrëveshje dhe të çmendur që duan të luftojnë deri në fund. E njëjta gjë ndodh edhe në vendin tonë. Besoj se atje kanë frikë nga të çmendurit, por të moderuarit respektohen më shumë”, deklaroi Trump.

Më pas ai sulmoi edhe iranianët që, sipas tij, besojnë se Amerika do të lodhet nga operacioni ushtarak.

“Sa budallenj janë? Mendojnë se do të lodhem, do të mërzitem apo do të ndiej presion. Nuk ka asnjë presion. Do të arrijmë një fitore totale. Në teori, nga pikëpamja ushtarake, ne tashmë kemi arritur një fitore totale”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Trump komentoi edhe armëpushimin aktual, të cilin e cilësoi “shumë të dobët”.

“Është në terapi intensive pas atij propozimi plehrë që na dërguan. Ka vetëm 1% mundësi të realizohet”, deklaroi ai nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan shtoi se shumë njerëz pyesin nëse ai ka një plan për situatën, duke u përgjigjur: “Sigurisht që kam një plan, dhe është plani më i mirë ndonjëherë”.

 

Ora 17:15
BE vendos sanksione ndaj kolonëve izraelitë, reagon Tel Avivi: Vendim i papranueshëm i motivuar nga ide politike

Gideon Saar

Izraeli ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj kolonëve izraelitë të përfshirë në dhunë. Përmes një postimi në X, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar deklaroi se vendimi i BE-së është “i motivuar politikisht” dhe pa asnjë bazë reale.

“Izraeli e refuzon me forcë vendimin për të vendosur sanksione ndaj qytetarëve dhe organizatave izraelite. Bashkimi Europian ka zgjedhur të veprojë në mënyrë arbitrare për shkak të bindjeve të tij politike dhe pa asnjë bazë. Është tronditëse që BE zgjodhi të bëjë një krahasim mes qytetarëve izraelitë dhe terroristëve të Hamasit. Është një ekuivalencë morale tërësisht e shtrembëruar. Asnjë popull tjetër në botë nuk e ka të drejtën mbi tokën e vet kaq të dokumentuar dhe të konsoliduar sa populli hebre mbi Tokën e Izraelit”, deklaroi Sa’ar.

Sipas tij, kjo është një e drejtë “morale, historike dhe e njohur edhe nga e drejta ndërkombëtare”, ndërsa përpjekja europiane për të “imponuar opinione politike përmes sanksioneve” është, sipas Izraelit, e papranueshme.

Ora 17:10
Vizita e Trump afron Pekinin me Teheranin, Irani mbështet planin kinez për Gjirin Persik

Abdolreza Rahmani Fazli

Irani ka shprehur mbështetje për planin e paqes të propozuar nga Kina për rajonin e Gjirit Persik, vetëm pak ditë para vizitës së Donald Trump në Pekin. Ambasadori iranian në Kinë, Abdolreza Rahmani Fazli, shkroi në platformën X se Teherani është i gatshëm të mbështesë planin me katër pika të presidentit kinez Xi Jinping.

“Republika Islamike e Iranit ka shpallur gatishmërinë e saj për të mbështetur planin me katër pika të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës, që synon krijimin e një sigurie të qëndrueshme dhe zhvillimi të përbashkët në rajonin e Gjirit Persik”, deklaroi ai.

Sipas ambasadorit, kjo çështje është theksuar edhe gjatë takimit mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve.

 

Ora 16:51
Tensionet në Lindjen e Mesme, Lituania propozon vendosjen e trupave në mbështetje të SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit

1778045812_ngushticaehormuzit.jpg

Lituania ka propozuar dërgimin e trupave për të ndihmuar SHBA-në në Ngushticën e Hormuzit.

Këshilli Shtetëror i Mbrojtjes, i kryesuar nga Presidenti lituanez Gitanas Nauseda, tha në një propozim drejtuar parlamentit se vendi mund të dërgonte deri në 40 ushtarë dhe personel në zonë.

Sipas transmetuesit lituanez LRT, Këshilli tha se miratoi vendosjen "e kapaciteteve ushtarake lituaneze... për të marrë pjesë së bashku me aleatët në operacionet ndërkombëtare të sigurisë detare që sigurojnë lundrim të lirë" në ngushticë.

Kjo lëvizje vjen ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca përgatiten të presin një takim me më shumë se 40 ministra të Mbrojtjes për të diskutuar planet për të mbrojtur transportin detar në rrugën kryesore të eksportit.

Ora 15:53
Drejtuesi i kompanisë që zhvilloi sistemin: Kupola e Hekurt Izraelite është 99% efektive, thuajse perfekte

1778507654_rdyiii.jpg

Sistemi izraelit ‘Kupola e Hekurt’ ka qenë pothuajse 99% efektiv kundër raketave që vijnë nga Hamasi dhe Hezbollahu dhe ka kapur shumicën e atyre të qëlluara nga Irani, sipas drejtuesit të kompanisë që e zhvilloi sistemin.

Yuval Steinitz, kryetar i kompanisë shtetërore Rafael Advanced Defence Systems Ltd, tha se që nga sulmet e 7 tetorit 2023, rreth 40,000 raketa janë qëlluar drejt Izraelit nga grupet militante në Gaza dhe Liban.

"Iron Dome i kapi shumicën e tyre me një shkallë suksesi që nuk është 100%, por afër 100%. Është rreth 98%, madje 99%, kështu që nuk është perfekte, por pothuajse perfekte", tha Steinitz.

Ndërkohë, Irani ka qëlluar rreth 1,500 raketa balistike drejt Izraelit gjatë luftës aktuale dhe një raundi të mëparshëm luftimesh në vitin 2024.

Sipas Steinitz, vetëm disa dhjetëra prej tyre nuk u rrëzuan nga Kupola e Hekurt.

Ora 15:43
Mediat iraniane: Vetëm një cisternë nafte ka kaluar në Ngushticën e Hormuzit në 24 orët e fundit, me lejen e Marinës sonë

1778254152_StraitHormuzDB05042026A.jpg

Në 24 orët e fundit, vetëm një anije cisternë nafte ka kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, dhe e ka bërë këtë me lejen e Marinës Iraniane.

Lajmin e raportoi media iraniane IRIB, e cila theksoi se anija aktualisht është duke u drejtuar për në Vietnam.

Këtë mëngjes, agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se Agios Fanourios I, një supertanker (VLCC) i ngarkuar me naftë bruto irakiane dhe i drejtuar për në portin e Nghi Son në Vietnam, kaloi dje nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe aktualisht ndodhet në Gjirin e Omanit.

Raportet e mëparshme tregonin se anija, që mbante flamurin maltez, kishte kaluar nëpër Ngushticë ndërsa kishte fikur sinjalet e saj të vendndodhjes për të shmangur sulmet iraniane. Sipas një raporti të sotëm nga Tasnim, anija kaloi nëpër Ngushticë në koordinim me Iranin.

Ora 15:35
BE vendos sanksione ndaj pushtuesve izraelitë dhe organizatave të tyre

1778421906_flamuriibe.avif

Foto: Flamuj të BE-së

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord për një raund të ri sanksionesh ndaj pushtuesve izraelitë dhe organizatave të akuzuara për mbështetje të aktiviteteve të paligjshme të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, njoftoi se BE-ja po vendos masa ndëshkuese ndaj organizatave izraelite që, sipas tij, mbështesin “kolonizimin ekstremist dhe të dhunshëm” në Bregun Perëndimor, si dhe ndaj drejtuesve të tyre.

“Bashkimi Evropian po vendos sanksione sot ndaj organizatave kryesore izraelite, fajtore për mbështetjen e kolonizimit ekstremist dhe të dhunshëm të Bregut Perëndimor. Këto akte shumë serioze dhe të patolerueshme duhet të ndalen pa vonesë”, shkroi Barrot në platformën sociale X.

Ai shtoi se BE-ja ka miratuar gjithashtu sanksione ndaj “udhëheqësve kryesorë të Hamasit”.

Sipas Barrot, Franca dhe partnerët evropianë synojnë të mbështesin zgjidhjen me dy shtete, ku Izraeli dhe Palestina të jetojnë “krah për krah në paqe dhe siguri”.

Vendimin e konfirmoi edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila deklaroi se ministrat e jashtëm “miratuan sanksione ndaj kolonëve izraelitë për dhunën kundër palestinezëve”.

“Ishte koha e duhur që të kalonim nga bllokimi në arritjen e qëllimit. Ekstremizmi dhe dhuna kanë pasoja”, shkroi Kallas në X.