Juristi Kreshnik Spahiu me ironi e ka pyetur Mereme Selën (të cilës iu pranua aplikimi për kandidate për kryetare të PD-së) se nëse zgjidhej kryetare e PD-së dhe më pas kryeministre, a do ta bënte Sali Berishën zëvendës-ministër.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Spahiu me ironi deklaroi gjithashtu se më shumë shanse ka Mereme Sela që ta mposhtë kryeministrin Edi Rama në zgjedhje, sesa Sali Berisha.
“Nëse zonja Mereme fiton për kryetare të PD-së dhe mendoj se është shumë pranë fitores, sepse jam i sigurtë që më shumë shanse ka zonja Mereme që ta sjellë në pushtet PD-në sesa Sali Berisha. Dhe duke qenë se më shumë shanse ka zonja Mereme ta sjellë në pushtet PD-në, do të doja të qartësoja ‘nëse ju zonja Mereme, nëse fitoni si kryetare e PD-së, do kandidoni për kryeministre? Dhe nëse fitoni edhe si kryeministre, do e bëni ministër Sali Berishën në qeverinë e ardhshme tuajën? Pra cili është vizioni juaj si kryeministre e ardhshme? Të paktën futeni Berishën ndonjë nivel zv.ministri apo drejtori, mos ta lini pa gjë’”, i tha Spahiu-Mereme Selës.
Juristi Kreshnik Spahiu i ka kërkuar live Mereme Selës që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 majit për kreun e PD-së, pasi sipas tij, gara është e paracaktuar.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Spahiu tha se Mereme Sela nëse do të hyjë në garë përballë Sali Berishës për kreun e PD-së, rrezikon të kthehet në një ‘barsaletë’.
Spahiu tha se Mereme Sela duhet të mbajë një qëndrim ndaj këtij procesi që po zhvillohet në PD, duke shtuar se Sali Berishës ia ndalon neni ‘Basha’ për të qenë kandidat në zgjedhjet për kryetarin e partisë.
“I drejtohem zonjës Mereme, e cila është e nderuar në profesion, por po futet në një garë politike e cila është historike. Dhe mund të ndodhë që të kthehet në një precedent barsalete në të ardhmen, për faktin se PD ka në diskutim garën, e cila ka përjashtuar të gjithë kritikët. Me statut, të miratuar në gjykatë, në bazë të ligjit të organizimit të partive, të votuar nga ky Kuvend ku është anëtare zonja Mereme, kanë votuar që kryetari i cili humbet zgjedhjet, nuk mund të kandidojë.
E para Meremja duhet të kontestojë kandidimin e Sali Berishës, i cili është kryetari që ka humbur zgjedhjet. Meremja mund të jetë në garë, por Sali Berisha jo. Nëse zonja Mereme duhet të hyjë në histori, duhet të mbajë një qëndrim ndaj këtij procesi, që të jetë një garë e ndershme dhe e barabartë. Sali Berisha s’mund të jetë përballë Meremes kandidat, sepse e ndalon Statuti.
Dhe Meremja duhet të dali troç dhe të thotë ‘Berisha duhet të largohet nga kjo garë, sepse nuk i takon me Statut, ose vetë Meremja të tërhiqet. Sepse përndryshe në të ardhmen do të thonë ‘historia e Meremes me Berishën’. Ose ju s’duhet ta pranoni dhe të thoni ‘unë në garë hyj me çdokënd, përveç atij që e ndalon statuti’, ose nga ana tjetër mos hyj në një garë e cila është e humbur, pasi është e pabarabartë”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente











