Një nga provat më të qarta të gjendjes së sotme politike në Shqipëri nuk është vetëm ajo që bën lidershipi, por edhe ajo që nuk thonë më strukturat dhe shoqëria përballë tij. Kandidimi i Sali Berishës për drejtimin e Partisë Demokratike, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me statutin, që parashikon dorëheqjen e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve, është një rast i tillë.
Dhe këtu ironia qëndron në faktin se neni 46 i statutit i formuluar nga Berisha për të garantuar një minimum përgjegjësie politike, sot qëndron si boomerang për të zhbërë edhe më shumë farsën e rizgjedhjes së tij.
Pra, statuti është i qartë, nuk ka nevojë për interpretime kreative: humbja sjell përgjegjësi, dhe përgjegjësia përkthehet në dorëheqje. Ky është një standard minimal demokratik, jo një luks procedural. Megjithatë, ajo që po ndodh sot nuk është debat mbi interpretimin e rregullit, por vetëm heshtje përballë shkeljes së tij. Dhe çuditërisht, askush brënda PD-së nuk duket i çuditur.
Reagimi, si brenda Partisë Demokratike ashtu edhe jashtë saj, është i vakët. Nuk ka debat real, nuk ka përplasje idesh, nuk ka një përpjekje serioze për të mbrojtur parimin mbi individin. Dhe kjo heshtje nuk duket rastësore. Ajo ngjan më shumë si një lodhje kolektive, një dorëzim gradual përballë një realiteti që tashmë është bërë normë.
Themi kështu sepse precedenti është krijuar. Berisha u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara dhe, megjithatë, arriti të rikthehet në krye të partisë. Më pas, u përball me akuza serioze për korrupsion në një dosje të SPAK-ut dhe përsëri mbeti në qendër të vendimmarrjes politike. Çdo ngjarje e tillë, që në një sistem normal do të prodhonte krizë të thellë dhe reflektim institucional, në këtë rast është absorbuar pa shumë rezistencë.
Sepse, e thënë troc, ajo që bie në sy në Partinë Demokratike është mungesa e reagimit që vjen si pasojë e mungesës së personaliteteve. Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, të paraqitur shpesh si shpresë rinovimi dhe që duhej të ishin zë kritik, sot nuk janë as zë i ulët. Janë shumë më keq se kaq janë pa zë fare. Pra, kanë zgjedhur komoditetin e mosqenies. Asnjë pyetje për statutin, asnjë rezervë për procesin, asnjë distancë nga një praktikë që bie ndesh me parimet që vetë partia pretendon.
Një lloj elegance e heshtjes që nuk ka asnjë lidhje me maturinë, por shumë lidhje me varësinë. Një qetësi që tingëllon si korrektesë, por në thelb dëshmon mungesë integriteti. Një heshtje që nuk mbron parimin, por mbron pozicionin; që nuk ruan balancën, por shmang përgjegjësinë. Në pamje të parë duket si përmbajtje, në thelb është dorëzim pa personalitet.
Dhe këtu ironia vesh kostumin historik. Sepse Patia Demokratike është një parti që ka njohur debat. Ka njohur përballje. Ka njohur figura që i dilnin përballë Berishës edhe kur ai ishte në kulmin e forcës. Sot, kur ai është edhe i vjetëruar, edhe i konsumuar, edhe i refuzuar nga shumica e elektoratit, edhe i izoluar ndërkombëtarisht, kemi një brez politikanësh brënda PD-së, që zgjedh vasalitetin pranë tij.
Por kjo zgjedhje ka një kosto reale. Sepse duke shmangur përplasjen, ata nuk po ruajnë unitetin, por po zgjasin stanjacionin. Ata nuk po mbrojnë partinë, por po lënë Shqipërinë pa alternativë.
Paradoksi bëhet edhe më i rëndë kur Berisha vendos standarde për të tjerët. Kur një lider që vetë sfidon statutin dhe përballet me akuza të rënda i thotë një ish-deputeti se “nuk do kandidosh”, pa ofruar transparencë apo argument publik, atëherë kemi të bëjmë me një model selektiv të rregullit. Statuti zbatohet kur shërben dhe zhduket kur pengon.
Në fund, çështja nuk është më vetëm Berisha. Është fakti që një parti dhe një shoqëri duket se kanë hequr dorë nga refleksi për të reaguar. Pra, këto zgjedhje zgjidhin një problem, por jo atë të demokratëve. Ato zgjidhin një problem personal: konsolidojnë qëndrimin e Sali Berishës si lider i opozitës më të madhe në një moment kur përballet me procese të drejtësisë.
Një zgjidhje e brendshme për një nevojë personale. Por, pikërisht sepse zgjidh një problem personal, ajo lë pa zgjidhje problemin politik. Demokratët mbeten pa standard. Shoqëria mbetet pa debat. Shqipëria mbetet pa alternativë.
Komente










