Ditën e sotme, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se i qëndron plotësisht vendimit të tij për shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha non grata.
Lidhur me deklaratat e Blinken, juristi Kreshnik Spahiu ka thënë në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv se ka një qëndrim të veçantë (për keq) të SHBA-së për Sali Berishën.
“Edhe sikur të marrim të mirëqenë që mafia e Soros dhe Edi Rama janë të inkriminuar, a e bën kjo të pafajshëm Sali Berishën? Mund të jetë vërtetë mafia e Soros apo i inkriminuar Edi Rama, por kjo nuk e zhbën vendimin e SHBA-së për Berishën, pasi Berisha është një njeri që ka 36 vite në politikë dhe ka një qëndrim të veçantë SHBA për këtë individ. Edhe sikur të jetë i inkriminuar Rama. Pra janë dy gjëra krejt të ndryshme”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej me ironi Spahiu tha se ata që besojnë Berishën nuk duhet t’i kërkojnë llogari Blinkenit për non gratën e Berishës, por duhet t’i kërkojnë llogari Presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Sipas Spahiut, Trump dhe Rubio i hoqën non gratat Presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe liderit të Republikës SRPSKA në Bosnjë, Millorad Dodik, por Berishës dhe familjes së tij nuk ia hoqën.
“Prandaj do i sugjeroja edhe njëherë të gjithë atyre që janë kaq entuziast dhe i bëjnë lavazh truri politik këtyre nga indoktrinimi, edhe njëherë të ngrenë vetëm një pikëpyetje: ‘Pse Donald Trump të cilin këta e konsideronin aleat, pse Rubio për të cilin thanë se do vijë me platformën për të hequr non gratat, i heq non gratat Vladimir Putinit që shkeli në SHBA, i heq non gratën Dodikut dhe familjes së tij dhe nuk ia heq Sali Berishës’”, shtoi Spahiu.
Spahiu në përfundim të deklaratës së tij tha se Sali Berisha nuk e sjell dot opozitën dhe PD-në në pushtet.
“Prandaj këtu ka shumë pikëpyetje të tjera të cilat e rëndojnë situatën dhe e bëjnë të pamundur atë pikëpyetjen e madhe që ngrihet sot nëse do kemi rotacion politik nëse ky Sali Berish do sjellë në pushtet opozitën shqiptare”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente












