Juristja Alesia Balliu, e cila ka shpallur kandidaturën për kryetare të PD-së, ka deklaruar në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv se Sali Berisha po e përdor partinë vetëm për interesat e tij personale.

Balliu tha se Berisha i ka të gjitha dyert të mbyllura te ndërkombëtarët dhe rikthimi i tij në pushtet, sipas juristes është i pamundur.

Ajo shtoi se kohët e fundit Berisha po përdor në protesta flamurin gjerman për ‘t’i hedhur hi syve’ popullit, pasi e di që shqiptarët e kanë kuptuar se në SHBA dera e tij është e mbyllur.

“Nën drejtimin e Berishës vetëm do ruhet pushteti dhe do jetë gjuha e përdorur e njëjtë që ka përdorur këtu e 30 vite më parë. Nuk ka risi më ky lidership. Berisha tani po përdor flamurin gjerman, pasi e kupton që te amerikanët dera e tij është e mbyllur. Tani po përpiqet të shesi sikur ka një derë të hapur te ndërkombëtarët”, tha Balliu.

Ndërkohë analisti Arben Meçe deklaroi se Berisha është non grata për çështje shumë serioze në SHBA dhe sipas tij, sanksionet ndaj ish-kryeministrit nuk mund të hiqen kurrë.

Duke folur për sulmet e Berishës ndaj Salianjit, Meçe tha se kryedemokrati të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai, i cilëson si armiq të brendshëm dhe përpiqet t’i ‘eliminojë’.

“Në PD flisnin sikur Trump do bënte revolucion në Shqipëri dhe në fund do rikthente nderin e Sali Berishës. Tani marrëdhëniet e PD-së me amerikanët janë zero. Rama i ka konsoliduar marrëdhëniet me SHBA. Berisha harron që është një person non grata dhe ai person non grata është i lidhur me shumë çështje që nuk i ka bërë thjeshtë një administratë politike, por një administratë teknike në SHBA. Kanë të bëjnë me probleme shumë serioze të Berishës, që nuk ç’rrënjosen edhe me kohën.

Salianji sëbashku me disa figura po kërkojnë demokratizimin e PD-së. Në momentin kur këta faktorizohen, menjëherë fillon ‘vetëpërjashtuar’. Mua Berisha më ka shpallur 200 herë sigurims. Të gjithë njerëzit që i dalin kundër etiketohen, shërbëtorë, të korruptuar, etj”, tha Meçe.

Nga ana tjetër, avokati Alban Duraj ka deklaruar se besonte se ka pasur një marrëveshje mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, që të mundësonte rikthimin e këtij të fundit në krye të PD-së.

“Unë në vitet 90 kam qenë 3 vjeç dhe në qershor bëj 39-vjeç. Dhe kemi ende Berishën në pushtet. Jo në pushtet, por në krye të opozitës, lëviz fijet. I bie që ka 36 vite në pushtet dhe në krye të PD. Të gjithë e kuptuam se edhe Bashën ai e vuri në krye të PD, por besoj se ata kanë pasur një marrëveshje të fshehtë kur e shpalli non grata SHBA. Ajo ka qenë një luftë thjeshtë për shou, për fasadë. Pra atë luftë që ne e pamë në selinë e PD-së dhe kjo erdhi pas takimit të Bashës me ish-ambasadoren Yuri Kim. Patjetër që do ketë një lloj komunikimi undergroënd, në mënyrë që Basha të linte partinë. Fakti që ai e lëshoi, sepse kishte shumicën e Grupit Parlamentar në atë kohë, kishte Kryesinë, opinionin publik, mediat dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe kjo ka qenë thjeshtë që Berisha ta rimerrte këtë parti, qoftë për egon e tij personale, qoftë për ta përdorur për mburojë”, tha mes të tjerash Duraj.