TIRANE- Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani nga kjo e martë është zyrtarisht nën akuzë për “Shpërdorim detyre”. Fullani është njohur me akuzën ndaj tij rreth orë 16:00 në zyrën e prokurorit Ndini Tavani ku ish-zyrtari i bankës ka qenë në shoqërinë e avokatit të tij Maks Haxhia.

Hetimet për Fullanin u mbyllën një vit pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës si dhe verifikimit të tenderit të blerjes së Hotel “Dajtit” dhe tenderave të qirasë për objekte të marra në shfrytëzim nga Banka e Shqipërisë. Burimet bëjnë me dije se Fullani nuk ka kundërshtuar konkluzionet e akuzës, por ka firmosur mbylljen e hetimeve duke pretenduar pafajësinë e tij.

Të njëjta burime sqaruan se në hetimet e kryera një ndër provat që ka faktuar “shpërdorimin e detyrës” nga ish-guvernatori është fakti se procedurat e tenderit për blerjen e Hotel “Dajtit” kanë nisur një muaj pasi qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha kish shpallur me vendim shitjen e hotelit për llogari të bankës. Dëmi në buxhetin e shtetit përllogaritet në miliona euro. Ndërkohë në shtator pritet të hapet procesi gjyqësor kundër tij.

Shkeljet e Fullanit
Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, mbikqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare.

Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.

Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.

Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.

Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)