Ish Komisionerët publikë në procesin e vettingut Florian Ballhysa dhe Irena Nino, të cilët i kishin kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor të emëroheshin gjyqtarë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, janë refuzuar nga qeveria e gjyqësori.

Në një vendim dje, KLGJ e rrëzoi kërkesën e atyre me argumentin se ligji nuk ka parashikim për emërimin e tyre, ashtu si ligjvënësi ka përcaktuar në veçanti për anëtarët e KPA-së.

Pas përfundimit të mandatit të institucionit të Komisionerëve Publikë në dhjetor të vitit 2024, Ballhysa dhe Irena Nino, ju drejtuan KLGJ-së që të emëroheshin gjyqtari duke u bazuar në aneksin e Kushtetutës, ku përcaktohet se “gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, anëtarët e Komisionit dhe komisionerët publikë gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë”, dhe për këtë njëjti si anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët në përfundim të mandatit kanë të drejtën të caktohen si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, edhe atyre u takonte.

Megjithatë nuk mendoi kështu KLGJ, vendimi i së cilës mund të ankimohet në Gjykatën Administrative.