Komisioni Europian propozon që vendet që do të anëtarësohen në Bashkimin Europian të monitorohen jo vetëm gjatë negociatave, por edhe pas anëtarësimit, me mekanizma të rinj që synojnë të garantojnë respektimin e angazhimeve të marra për shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat themelore.
Sipas dokumentit, monitorimi do të nisë që nga mbyllja e negociatave dhe do të vazhdojë deri në ditën e anëtarësimit. Nëse gjatë kësaj periudhe konstatohet regres serioz dhe masat korrigjuese nuk janë të mjaftueshme, Komisioni propozon që anëtarësimi të mund të shtyhet deri në përmbushjen e kushteve.
Edhe pas hyrjes në Bashkimin Europian, traktatet e ardhshme të anëtarësimit do të parashikojnë mekanizma mbrojtës më të fortë. Komisioni propozon që periudha gjatë së cilës mund të aktivizohen klauzolat për ekonominë, tregun e brendshëm dhe drejtësinë të zgjatet ndjeshëm, ndërsa për herë të parë të krijohet edhe një mekanizëm institucional, i cili do të mbetet në fuqi për 15 vjet pas anëtarësimit.
Në rast të shkeljeve serioze të vlerave themelore të Bashkimit Europian ose të parimit të bashkëpunimit të sinqertë, Komisioni propozon që të mund të merren masa si pezullimi i fondeve europiane ose, në rastet më të rënda, pezullimi i të drejtës së votës së shtetit anëtar në Këshillin e Bashkimit Europian.
Në konferencën për shtyp, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se këto masa nuk synojnë të krijojnë vende anëtare të kategorive të ndryshme, por të mbrojnë Bashkimin Europian nga regresi në reforma.
"Të gjitha shtetet anëtare do të gëzojnë të drejta të barabarta, edhe anëtarët e rinj. Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele. Për t'iu bashkuar Bashkimit tonë, vendet duhet të përmbushin standarde shumë të larta për shtetin e së drejtës dhe duhet të jemi të sigurt se pas anëtarësimit nuk do të bien më kurrë nën këto standarde," tha ajo.
Kos shtoi se Komisioni propozon ta bëjë më të lehtë ndërhyrjen kur një shtet nuk respekton angazhimet e marra.
"Ne duam ta bëjmë më të lehtë ndërprerjen e mbështetjes financiare ose kufizimin e të drejtave të votës. Kjo është një lloj politike sigurimi, në mënyrë që të mund të reagojmë nëse është e nevojshme. Këto garanci do të zbatohen vetëm në rast shkeljesh," u shpreh komisionerja.
Paketa parashikon gjithashtu që shtetet e reja anëtare, për një periudhë të kufizuar, të angazhohen të mos bllokojnë zgjerimet e ardhshme të Bashkimit Europian për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe. Sipas Komisionit, ky model do të zbatohet fillimisht në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi, i cili do të jetë vendi i parë ku do të përfshihen këto klauzola të reja në traktatin e anëtarësimit.
Lajmi kryesor:
Zgjerimi i BE-së, Komisioni prezanton planin e ri: Integrim gradual para anëtarësimit dhe kufizim të vetos! Në tetor udhërrëfyesi, Marta Kos: Shqipëria mes katër vendeve pararojë










