Ish lënë 'në mëshirë të fatit', tërmeti rëndoi gjendjen! Restaurohet nga BE monumenti 118-vjeçar i kulturës, ish-Arqipeshkvia e Durrësit

Ish lënë 'në mëshirë të fatit', tërmeti rëndoi gjendjen! Restaurohet nga BE monumenti 118-vjeçar i kulturës, ish-Arqipeshkvia e Durrësit

 Ish qendra e Arqipeshkvisë së Durrësit, në Delbnisht

Ish-Arqipeshkvia e Durrësit në Delbnisht, monument kulture i kategorisë së dytë, i ka shpëtuar rrënimit, falë ndërhyrjeve restauruese të financuara nga Bashkimi Evropian (në kuadër të programit EU4Culture , zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës). Pas një viti punimesh, dhe investimit prej 620,000 eurosh të BE, kjo javë shënoi edhe ceremoninë e inaugurimit të objektit të kultit me vlera të rralla trashëgimie. 

Struktura mendohet të jetë ngritur në vitin 1905, duke shërbyer fillimisht si manastir. Gjatë gjithë historisë së saj, ajo priti figura të shquara, si priftërinjtë dhe patriotët Dom Nikollë Kaçorri, Rafaelo D'Ambrozio dhe Prend Bardhi. Me kalimin e viteve, ndërtesa pësoi transformime të ndryshme. Në vitin 1914, ndërtesa u dogj, duke çuar në braktisjen e saj për tre dekada. Pas kësaj periudhe, për një kohë të shkurtër ajo funksionoi si shkollë fillore lokale, pas së cilës nuk u përdor më për shumë vite duke u lënë pas dore dhe e rrënuar. Në vitin 2015 ndërtesa u shpall monument kulture i kategorisë së dytë dhe iu nënshtrua restaurimeve të kufizuara, të cilat, megjithatë, nuk u përfunduan kurrë. Në vitin 2019 ndërtesa u dëmtua rëndë nga tërmeti shkatërrues.

Punimet përfshinë restaurimin e çatisë dhe konsolidimin strukturor të muraturës së bërthamës dhe të ndërtesës ngjitur. Dritaret, dyert, sipërfaqet e dyshemesë dhe përfundimet u restauruan me përpikëri pas projekteve të miratuara të konservimit. Në fokus të restaurimit ishte ruajtja e vlerave të Ish-Arqipeshkvisë së Durrësit, monument kulture i kategorisë së dytë. Vëmendje e veçantë iu kushtua dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019, duke  siguruar që të ruhen vlerat kulturore. 

Në ceremoninë e inaugurimit morëm pjësë  znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës, z. Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit  pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, znj. Majlinda Shqalsi Cara, Kryetare e Bashkisë Kurbin, Don Massimiliano Maria Spezia, përfaqësues i Kishës Katolike, znj. Pamela Lama, Menaxhere e Lartë, në UNOPS (Zyra e  Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve) Shqipëri.

“Falë punës së ekspertëve, mbështetjes së paprecedentë të Bashkimit European, përmes programit EU4Culture, bashkëpunimit me UNOPS dhe komunitetin katolik të zonës, ia dolëm të restaurojmë një godinë ikonike, ish-Argjipeshkvinë e Durrësit, në Delbnisht të Laçit. Me gjithë problematikat e bartura dhe ato të shkaktuara nga tërmeti, u arrit që ky monument kulture t’i shpëtojë shkatërrimit dhe të vihet në shërbim të besimtarëve.”- tha Elva Margariti, Ministre e Kulturës.


“Bashkimi Evropian është shumë krenar dhe shumë i lumtur që i dorëzon komunitetit një tjetër monument kulture që është restauruar në kuadër të programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës. Ky objekt është një shembull fantastik i partneritetit dhe po ashtu i solidaritetit që Bashkimi Evropian ka treguar ndaj popullit të Shqipërisë në restaurimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti.” - u shpreh Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqiperi.


"Pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019, sfidat e kohës dhe braktisjes, ekipi ynë i përkushtuar i ekspertëve punoi shumë, duke restauruar dhe dhënë jetë të re në këto mure. Punimet e restaurimit ishin një përpjekje e gjerë, duke përfshirë gjithçka nga çatia deri te detaje të ndërlikuara të muraturës dhe pajisjeve. Në UNOPS, ne jemi shumë krenarë që jemi një partner i besuar i Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Kulturës në restaurimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe për të ndihmuar në nxitjen e ekonomisë lokale dhe rigjallërimin e komunitetit lokal, duke kontribuar kështu në mbështetjen e vendit në arritjen e objektivave të Axhendës për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030.”- vuri në dukje Pamela Lama, Menaxhere e Lartë, në UNOPS Albania.

 


Në vijim, ndërtesa do të përdoret nga Kisha Katolike si pronare e saj për të akomoduar urdhrin e murgeshave karmeliane me katin përdhes të planifikuar të shndërrohet në një zonë gjysmë publike, në shërbim të komunitetit lokal. Kjo hapësirë mund të përdoret si një kënd leximi ose një sallë ekspozite kompakte, duke i shtuar rëndësinë për komunitetin.

/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare