I pranishëm gjatë këtij operacioni, ka qenë edhe Ministri i Mjedisit Lefter Koka i cili e ka ndjekur nga afër dhe në kohë reale aksionin nga fillimi deri në përfundimin me sukses të tij. Kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, Ergys Agasi shprehet se “Tashmë zona është e pastruar tërësisht”.
Për shkak të rrezikshmërisë tepër të lartë, operacioni për zhvendosjen e këtyre lëndëve kimike është bërë në masa të rrepta sigurie. Në orët e para të mëngjesit u bë evakuimi i banorëve të zonës nga vendbanimet e tyre, jashtë perimetrit të rrezikshmërisë. Operacioni zgjati për rreth 5 orë.
Pas paketimit dhe zhvendosjes nga Reparti i Kimikes pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u bë dezinfektimi i ambjentit ku ndodheshin kimikatet dhe pastrimi i gjithë zonës përreth.
Lëndët e rrezikshme kimike kanë qëndruar mbi 20 vjet në këto ambiente dhe nuk ruheshin apo administroheshin nga asnjë strukturë shtetërore. Nga specialistë të fushës këto lëndë konsiderohen tepër të rrezikshme për jetën e banorëve dhe të ambientit në të cilin ato gjendeshin.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)