Ish-paramilitari serb: Unë kam
kryer krime ndaj shqiptarëve

Ish-paramilitari serb: Unë kam <br />kryer krime ndaj shqiptarëve
BEOGRAD - Ish-pjesëtari i njësisë paramilitare serbe “Çakallët”, i cili u bë dëshmitari kryesor i Prokurorisë së Serbisë në gjykimin e ish-kolegëve të tij për krime lufte në Kosovë, thotë se i është dashur të flasë për masakrat brutale, që ka kryer në fshatrat e Kosovës.

Zoran Rashkoviç është quajtur hero dhe kriminel lufte, patriot e tradhtar, i çmendur dhe gjeni. I pyetur nga gazetarja e BIRN-it, Marija Ristiç, për të përshkruar veten, ai thotë se “është njeri i së vërtetës”.

“Dua t’i jap fund kësaj heshtjeje 15-vjeçare, dua ta heq këtë brengë nga gjoksi dhe kryqin që mbaj mbi kokë”, tha ish-paramilitari Rashkoviç, i cili në disa raste ka dëshmuar para Gjykatës speciale për krime të luftës në Beograd për masakrat brutale në fshatrat Lubeniç, Pavlan, Zahaç dhe Qyshk, të gjitha në zonën e Pejës.

“Pyes veten, a isha më shumë i manipuluar në vitet 1999, kur si djalë 20-vjeçar shkova në luftë me krenari, duke menduar se kjo ishte mënyra për të mbrojtur tokën time nga ‘shqiptarët e këqij’ apo tani që doja të tregoja të vërtetën dhe rrezikova jetët e personave më të afërt, sepse besoja se kishte ardhur koha për t’u përballuar me të shkuarën dhe për pajtim”, tha Rashkoviç.

Duke shpjeguar se çfarë donte të thoshte me “manipulim” në vitet 1990-s, ai tha se “të gjitha luftërat dhe fushatat nga të gjitha anët se dikush po merrte tokën tonë, më bëri të mendoja se po bëja gjënë e duhur. Isha refugjat nga Kroacia e tani edhe nga Kosova”.

Rashkoviç ka lindur në qytetin Rijeka të Kroacisë, kur vendi ishte ende pjesë e Jugosllavisë. Në mes të luftërave në Ballkan, kur ishte 15 vjeç, u arratis nga qyteti i tij i lindjes dhe erdhi me familjen në Pejë.

“Me babanë, nënën dhe vëllanë tim më të ri, si refugjat për herën e parë shkuam në Pejë”, tha ai.

Në vitin 1998, pasi përfundoi shkollën e mesme, bëri shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe shërbeu si roje e Vladimir Lazareviçit, i cili në atë kohë ishte shef i garnizonit të Prishtinës të ish-ushtrisë jugosllave. Llazareviç është dënuar nga Tribunali i Hagës me 15 vjet burg për krime e luftës në Kosovë në vitin 1999.

Gjatë shërbimit 12-mujor në ushtri nisi konflikti i armatosur mes UÇK-së dhe forcave serbe. Sipas tij, ai ishte dëshmitar i “disa nga skenave më të tmerrshme të civilëve serbë, që u vranë në kampin Kleçka dhe liqenin e Radoniçit, që e bindën të bashkohej e të luftonte për tokën e Kosovës”.

“Kur u ktheva, Peja nuk ishte qyteti i njëjtë. Gjashtë fëmijë serbë ishin vrarë në kafenë Panda. Kudo kishte urrejtje dhe mungesë tolerance”, tha Rashkoviç.

Kur punonte në një dyqan kafeje, ai takoi Nebojsha Miniçin, të njohur si “Mrtvi”, kriminel i njohur dhe anëtar i grupeve të ndryshme paramilitare dhe të një njësie policie, të quajtur Munje, që dyshohet se ka kryer disa nga krimet më të tmerrshme të luftës në Kosovë.

Miniq e rekrutoi në një njësi të re, të quajtur Çakallët, që përbëhej nga dhjetëra luftëtarë serbë e që, sipas Rashkoviçit, “caktohej për punët më të pista dhe më të rrezikshme”.

“Më bëri përshtypje, që isha pjesë e njësisë. Isha fëmijë në atë kohë. Miniç ishte i respektuar dhe i pëlqeja. Kjo mjaftonte për mua. Për mua ai ishte alfa dhe omega”, tha Rashkoviçi.

“Për 100 ditë kjo njësi shkatërronte në zonën e Dukagjinit, duke përhapur frikë dhe tmerr mes shqiptarëve”, shtoi ai. Në vitin 2010, prokurori për krime lufte në Serbi paditi luftëtarët Toplica Milladinoviq, Sreçko Popoviq, Sllavisa Kastratoviq, Boban Bogiçeviç, Radosllav Brnoviç, Vidoje Koriçanin, Veljko Koriçanin, Abdullah Sokiç, Millojko Nikoliç, Sinisa Mishiç, Zoran Obradoviç, Dejan Bullatoviç dhe Ranko Momiç për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve në fshatrat e Zahaçit, Pavlanit, Lubeniçit dhe Qyshkut në vitin 1999.

Në gjyq, Rashkoviçi identifikoi shumicën e burrave si autorë të drejtpërdrejtë të masakrave. Të gjithë ata, përveç Toplica Milladinoviçit, i cili ishte komandant i Ushtrisë Jugosllave, dyshohen të kenë qenë anëtarë të "Çakallëve".

Struktura e komandës së tyre ende kontesohet, meqë shumë anëtarë të saj kanë thënë gjatë gjykimit se ishin pjesë e një njësie të rregullt ushtarake dhe jo paramilitare. Rashkoviç tregoi se lider i njësisë ishte Miniçi, por shpesh konsultohej me komandën e Ushtrisë jugosllave në Pejë.

“Kishim simbole ushtarake, benefite të ushtrisë si gaz e armë. Dhe, Mrtvi kishte dokumente zyrtare që thoshin se ishte oficer. Nuk e di, nëse ishte nën komandën e Ushtrisë, por e di se e dërgova të paktën dhjetë herë në komandën e Ushtrisë për konsultime”, tregon Rashkoviç.

Miniq nuk u përball kurrë me akuzat penale, sepse vdiq nga SIDA në Argjentinë, në vitin 2005. Ai besohet se kishte lidhje të ngushta me policinë serbe dhe zyrtarët e lartë serbë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, më 9 qershor 1999, që i dha fund luftës në Kosovë, Rashkoviç dhe familja e tij u arratisën për në Serbi. Pas kësaj ai u bë pjesë e disa bandave kriminale dhe pas luftës u dënua me 12 vjet burgim për plaçkitjen e një banke.

Në fillim ishte planifikuar, që Rashkoviç të dëshmonte me emër të koduar për të fshehur identitetin e tij, por për herë të parë në historinë e gjykatave në Serbi, një dëshmitar i mbrojtur vendosi të dëshmojë publikisht dhe të “tregonte të vërtetën për tmerret në Kosovë”.

“Doja t’i shikoja të gjithë në sy. Kjo nuk u bë nga Serbia, por nga individët. Doja ta hiqja këtë brengë nga shpirti im. Doja që kjo të dëgjohej në Prishtinë, në Beograd dhe në Bruksel. Nuk mendoj se është patriotike të heshtësh për këto krime, veçanërisht nëse djeg dhe vret fshatra të tëra. Është thjesht qyqarllëk”, tha ai.

Gjatë gjyqit, ai pati kërcënime të hapura nga ish-shokët e luftës. “Kam kuptuar se një kriminel është një kriminel. Nuk mund të justifikojmë veprimet tona duke thënë se ‘na bënë këta neve, kështu që do të hakmerremi’”, tha ai.

Sot ai thotë se është “pa shtet”, sepse nuk ka dokumente zyrtare identiteti. Ka dorëzuar një kërkesë për kartën e identitetit dy vjet më parë, kur ajo e fundit i kishte skaduar, por autoritetet refuzojnë t’ia japin.

“Ndihem i manipuluar, ose më mirë – i inatosur, sepse po i kërkoj shtetit tim të më japë të drejtat e mia bazike njerëzore, ndërsa të gjithë "çakallët" e tjerë po ecin të lirë nëpër Beograd”, tha ai.

Rashkoviq thotë se në të ardhmen do të donte të kthehej në Kosovë, në tokën që sigurisht nuk e ka blerë, por ia ka dhuruar pushteti okupues e kolonial serb në Kosovë.

“Kam tokë aty. Nuk shita asgjë. Do të doja të kthehesha dhe të filloja një jetë të re. Kjo është arsyeja pse fola. Ka ardhur koha për një dialog të vërtetë, sepse nuk kam edhe 15 vjet të tjera për të pritur”.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë