Ish-partizani i Brigadës së Parë: Ja 
 masakrat e Shehut dhe Mugoshes

Ish-partizani i Brigadës së Parë: Ja <br /> masakrat e Shehut dhe Mugoshes
TIRANE- Në anën tjetër të propagandës komuniste, gjatë ditëve të luftës së dytë Botërore në Shqipëri, zhvillohej edhe propaganda e Ballit Kombëtar. Të dyja forcat synonin të arrinin popullaritet e mbështetje në rradhët e shqiptarëve. Gazetat, thirrjet publike, dhe traktet ishin llogorja ku edhe zhvillohej përballja më e fortë mes tyre.  Ndërsa Fronti Nacional Çlirimtar bënte thirrje kundër “Organizatës tradhëtare të Ballit”(siç e cilësonin ata), nga ana tjetër Balli Kombëtar bënte thirrje për distancim dhe për ti braktisur rradhët e këtij fronti dhe të Partisë komuniste që sipas tyre prej kohësh po mbillnin terror e krime.

Në janar të 1944, përballja mes tyre përmes shtypit e propagandës njeh një intensifikim të dukshëm. Shumë raste dezertimesh shënohen në këtë periudhë nga rradhët partizane, ndërsa trakte të shumta hidheshin në popull nga “të penduarit” që linin frontin Nacional Çlirimtar dhe i bashkoheshin Ballit Kombëtar.

Në dokumentacionin e  luftës gjen mjaft prej këtyre trakteve e thirrjeve, një prej të cilëve është edhe dokumenti që po sjellim, që i takon një ish-partizani të Brigadës së Parë,  Namik Kadiut, i cili ishte tërhequr dhe ishte rreshtuar në rradhët e Ballit Kombëtar dhe përmes kësajk thirrjeje tregonte pendesë që kishte luftuar dhe ishte rreshtuar në krah të atyre që kishin bërë krime e kishin ushtruar terror në popull. Ai përmend emrat e Mehemt Shehut e Dushan Mugoshës, si përgjegjës në shumë masakra,  ndërsa rreshton ngjarjet e terrorit ku ka qenë vetë dëshmitar.
Ja teksti i plotë io thirrjes së tij:


“SHQIPNIJA SHQIPTARËVE
VDEKJA TRATHTARËVE”
Fillimi i mbarimit
 
NAMIK KADIU
student i klasës së VIII-të të Lyceut të Shkodrës, nji nga partizanët
qi rrokën pushkën që në fillim të lëvizjes kundra italjanve,
Namik Kadiu, nën-intendancjer i Brigatës së Parë të Mehmet Shehut,
NDAHET NGA BRIGATA E NGA PARTIJA
me kët thirrje qi i bân popullit shqiptàr.
 
            VLLEZËR SHQIPËTARË!
            Kur zëri i Atdheut kërkonte ndihmën t’onë, pse cipa e zezë e Fashizmit e kishte mbuluar an’e mb’anë, unë – si bir i tij – rroka pushkën, dola malit e bëra pjesë në frontin Nacjonal-Çlirimtar, në të cilin për një kohë të gjatë e luftova armikun me vullnetin e pathyer të një të riu shqiptar që i rreh zemra dhe i kërkon shpirti Liri e Drejtësi. E luftova armikun për muaj të tërë, sa në çeta aqë edhe në Brigatë pa m’u dhembsur jeta aspak, mbasi e dinja se bënja një nga detyrat kryesore që i ngarkohet njeriut përgjithsisht e veçanrisht rinis intelektuale.
            Por, ndërsa në luftën për Atdhe më shtynte një dëshirë e mbrëndshme, një vullnet i patundur, një guxim i pa fré, në luftën kundra njeni tjetrit – shkaktuar nga Partija Komuniste – më dual përpara Buka e popullit, Gjaku i tij, Gërmadhat e djegura nga italjanët, Vuajtjet e tmerrshme dhe më thanë: NDAL!    

            Ky zë i mbrendshëm NDAL! më tinglloi së pari në shpirt kur Partija Komuniste e cila predikon demokracinë por që punon për diktaturën më të tmerrshme, filloi terrorin, luftën dhe masakrat e saj!
            NDAL! më tha ndërgjegja, kur pash se 70 fshatarë të varfër, nga ata që në fillim të punës s’onë na kishin dhënë neve ose shokve t’onë sa herë buk, sa herë strehë, sa herë buzëqeshje, u pushkatuan në Golem të Lushnjes pa mëshirë prej Llaz Bozos, Mehmet Shehut të mësuar me gjak spanjollësh dhe gjakpirsit të huaj Dushanoviçit, për të vetmin shkak se bënin pjesë në rradhët e Ballit Kombëtar.
            NDAL! më tha ndërgjegja, kur pash torturat që i bënë popullsis së Belshit e të Dumres n’operacjonin e Brigatës, ku krisi druja për kijamet; qante burri nga dhembja, qan nëna për djalin, qante foshnja për babën, gruaja për burrin e motra për vllan!

            NDAL! më tha ndërgjegja, kur pash në Mallakastrën e djegur e të shkretruar nga fashizmi, operacjonin e Brigatës së Parë që e shkretoi edhe më keq me vrasjet e shëmtuara! Sidomos klithma e mbrendshme NDAL! arriti kulmin e saj kur pash me sytë e mij vrasjen e dy vllezërve të Isuf Hasanit nga Belishova, shqiptarë të thjeshtë, punëtorë të mirë e të padjallëzuar, për të vetmin faj se vllai i tyre, Isufi, bënte pjesë në Ballin Kombëtar!

            O ironi e fatit! Kjo është “Lirija” që ne deshëm dhe trumbetuan aqë fort se do t’i apim popullit?!
             NDAL!          NDAL!           NDAL!
            Ja ku po ndalem nga rruga e terrorit, e gjakut dhe e gënjeshtrës e po futem në rrugën e shqiptarizmës së vërtetë: në Ballin Kombëtar.
            RROFTË SHQIPËRIJA!      
Ish-Nën intendancier i Brigatës së I-rë
     Namik Kadiu d.v.
            Djelmët e rij si Namik Kadiu me shokë, Balli Kombëtar i pret me krahë hapur e len vendin çilë për t’ushtrue veprimtarin e tyne patriotike e djaloshare në të mirën e Atdheut t’onë të dashur.
 
“BALLI  KOMBËTAR”

ish-partizani i brigades se pare


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç