TIRANE- Një ish-polic është kapur me katër kallëpe dinamiti të lidhura në brez. Gëzim Allushi, 50 vjeç, u arrestua ditën e djeshme nga efektivët e komisariatit të policisë nr.5, në Kamëz, Tiranë, pasi posedonte me vete disa kallëpe dinamiti. Burime nga policia thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se kanë qenë informacionet e të njohurve të 50-vjeçarit që vunë në lëvizje efektivët blu. Ata i thanë policisë se Allushi ishte shprehur se do t’i jepte fund jetës.

Ky informacion ka detyruar policinë të vëzhgojë lëvizjet e 50-vjeçarit gjatë ditës së djeshme. Sipas policisë, Gëzim Allushi prej disa kohësh qëndronte në Burrel për shkak se ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij e cila jetonte në Kamëz. Madje kjo e fundit dhe dy fëmijët kishin marrë urdhër-mbrojtje nga Gjykata e Tiranës për shkak të dhunës së ushtruar nga Allushi. Ditën e djeshme 50-vjeçari është larguar nga Burreli në drejtim të Kamzës ku menjëherë ka hyrë në një lokal. Policia lokalizoi vendndodhjen e tij dhe ka pritur që ai të dalë nga lokali.

“Në momentin që i dyshuari doli nga lokali, policia e rrethoi dhe bëri të mundur kapjen e tij duke i ushtruar një kontroll” thanë burimet policore. “Nuk kam bërë asgjë” kanë qenë fjalët e para të 50-vjeçarit në momentin që ka parë efektivët e policisë t’i afrohen. Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti në brezin e Allushit disa kallëpe lëndë plasëse. Ai u izolua menjëherë në ambientet e komisariatit të policisë nr.5, ku dhe u mor në pyetje nga oficerët e hetimit të krimeve të rënda.

Para oficerëve të policisë, Allushi ka deklaruar se dinamitin e kishte siguruar nga depot në vitin 1997. Policia ka ngritur dy pista hetimi, njëra është përqëndruar tek trafikimi në sasi të vogla të dinamitit dhe tjetra në një vetvrasje të mundshme. “Policia dyshon se në gjendje të dëshpëruar për shkak të konflikteve në familje, 50-vjeçari mund të ketë menduar vetvrasjen me dinamit.

Megjithatë nuk përjashtohet dhe mundësia se kallëpet janë porositur nga një person i dytë për t’i blerë” thanë për gazetën burimet policore të cilat shtuan se po vazhdojnë hetimet. Ndërkohë që mësohet se, në momentin e arrestimit, dinamiti nuk ka qenë i aktivizuar. Gëzim Allushi ka qenë edhe më parë i dënuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “pengmarrje”.

Ai njihej nga policia si kontigjent, ndërsa ishte denoncuar edhe nga ish-bashkëshortja për ushtrim të dhunës fizike dhe psikologjike. Madje Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhër-mbrojtje për familjen ish-gruan e Allushit e cila është ende në fuqi.

faksimile

Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)