/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli i jep medaljen e mirënjohjes për kontributin e dhënë në mbrojtjen e vendit, në 85-vjetorin e lindjes së tij, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiut

Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrja Kodheli u shpreh se Moisiu është një figurë që ka dhënë një kontribut të çmuar për vendin tonë.
Ish-Presidenti Moisiu në fjalën e tij tha se, ai do të japë kontributin e tij për vendin deri në frymën e fundit. "Shpresoj që unë vërtet të kem bërë kaq shumë për vendin tim. Do të punoj për vendin tim sa të kem frymën time gjallë, sepse kështu e do atdheu, kështu e do Shqipëria, kështu e meriton populli im", tha Moisiu.

Ish-Presidenti sqaroi se karriera e tij ushtarake ishte trashëgimi familjare. "Ju e dini që babai im, Spiro Moisiu, ishte drejtuesi i Luftës. Që në kohën e Zogut ai ishte ushtarak dhe mua më tërhiqnin veshjet e tij të bukura, uniformat", theksoi ish-Presidenti Moisiu.

"Arsyeja e dytë ishte se ushatarakët atëhërë lëviznin shumë, nga vendi në vendi dhe kishin edhe mundësitë. Unë do të uroja që edhe ushtarakët tanë ta kenë këtë mundësi sot, që jemi integruar në NATO", nënvizoi ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Në fund të fjalës së tij, Moisiu u shpreh krenar për medaljen e marrë, ndërsa rrëfeu se në 40-vite karrierë vështirësitë kanë qenë të pashmangshme, ashtu si dhe uljet e ngritjet në detyrë teksa rezervoi dhe një urim speacial për ushtrinë Shqiptare. "Uroj që Ushtria Shqiptare, në rrugën e NATO-s, qoftë me armatike, qoftë me dije, të vazhdojë të ecë në gjurmët e Ushtrisë së krijuar që në vitin 1912", përfundoi Moisiu.

Mnistria e Mbrojtjes në 70-Vjetorin e LANÇ dhe në 85-vjetorin e Lindjes i jep Alfred Moisiut, Medaljen e Mirënjohjes me motivacion për kontributin e tij në mbrojtjen e vendit. Alfred Moisiu mbart mbi vete një karrierë të shkëlqyer në radhët e ushtrisë, ndërsa kariera e tij u kurorëzua në vitin 2002, kur më 24 korrik u zgjodh nga Kuvendi si President i Republikës.

Moisiu, përveç postit të kreut të shtetit ka mbajtur detyra të larta si dy herë zv.ministër i Mbrojtjes dhe një herë ministër i Mbrojtjes. Aktualisht zoti Moisiu është mjaft aktiv në shoqërinë civile duke dhënë kontributin e tij me Forumin Civil ku marrin pjesë dy ish-presient? dhe ish-drejtues të lartë institucionesh.