Ish-pronari do drejtojë ARMO, Rezart
e Anika Taçi 5 vjet jashtë naftës

Ish-pronari do drejtojë ARMO, Rezart<br />e Anika Taçi 5 vjet jashtë naftës
TIRANE - Rezart Taçi u ka dorëzuar çelësat e kompanisë ARMO të përpunimit të naftës përfaqësuesve të një kompanie të huaj, të regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanike, sipas kushteve të kontratës së nënshkruar më 6 gusht në Tiranë. Por, në krye të administratës së re mbetet një ish-ortak i tij, i cili ka qenë bashkëthemelues i kompanisë Taçi Oil International Trade and Supply Company.

Sipas dokumentave të regjistrimit në QKR, kompania e sipërpërmendur është krijuar në vitin 2003 dhe aksionerë në të janë dy persona, përkatësisht Rezart Taçi me 55 për qind e Fation Veizaj me 45 për qind të aksioneve. Kjo shoqëri ka vijuar për katër vjet punë në këtë formë, për të ndryshuar më pas pronësinë në prill të vitit 2007, kur Rezart Taçi vendos të marrë 100 për qind të aksioneve, duke kryer pagesën për ortakun e tij, të cilit i blen aksionet. Pra, Veizaj nuk është një emër i panjohur për Taçin.

Fakti se pse është tërhequr ai në drejtimin e kompanisë së re, pas shitjes që u bëri Taçi aksioneve të tij në Anika Enterprise, rrjedhimisht edhe në ARMO, ku zotëronte 85 për qind të aksioneve, mbetet ende një çështje për t’u zbuluar. Mundësitë në këtë drejtim janë dy. Ose Veizaj do të përfaqësojë Taçin, të cilin kontrata e nënshkruar me blerësit e detyron të “zhduket” nga tregu për të paktën pesë vjet në sektorin e hidrokarbureve, duke siguruar kështu një vazhdimësi të realizimit të interesave të tij, por me emër tjetër. Ose, në të kundërt, Veizaj është i përzgjedhur nga persona, shqiptarë apo të huaj, që e angazhojnë atë si njohës i mirë i “bëmave” të Taçit dhe me anë të tij do t’i pengojnë veprimet e mëtejshme të fshehta për të rihyrë fshehurazi në treg.

Megjithatë, gjasat për ndikimin e mëtejshëm të Taçit në këtë transaksion tani pakësohen shumë dhe ajo që mbetet, është vetëm bindja se njerëzit e Berishës është e sigurt që janë të përfaqësuar në kompaninë e re nëpërmjet avokates së “familjes” Erinda Ballanca.

ANGAZHIMET

Deri tani, nuk ka asnjë të dhënë, as në kontratën e nënshkruar nga palët dhe as në dokumenta të tjerë, që pala blerëse të ketë marrë përsipër të paguajë borxhet e Taçit ndaj shtetit e ndaj të tretëve.

Kjo është një deklaratë e bërë shpesh këto ditë nga njerëz pranë tij, si dhe së fundi nga zv.ministri i METE-s Enno Bozdo. Por, të marrësh përsipër borxhet duket absurde për një blerës, kur dihet se 50 milionë dollarë Taçi i ka borxh vetëm Albpetrolit dhe me të është në proces gjyqësor. Në tërësi, llogaritet që detyrimet e kompanive të tij ndaj shtetit të kenë arritur në rreth 70 milionë euro.

Nga ana tjetër, blerësit do të merrnin një rafineri, ku u premtua se do të hidheshin 250 mln euro për modernizim, por ku nuk u hodh asgjë dhe teknologjia mbeti në nivele gjysmake të vjetëruara.

Këto rrethana nuk mund të mos i dijë administratori i ri i ARMO-s, që duket se do të administrojë procesin e sekuestros të pronës së Taçit ndaj debitorëve të shumtë të tij, por jo rimëkëmbjen e ndërmarrjes.
 
KONTRATA, REZART E ANIKA TAÇI 5 VJET JASHTE NGA NAFTA

Rezart Taçi dhe e motra e tij Anika, që ka qenë administratore në një numër kompanish të zotëruara nga i vëllai, kanë pranuar që të largohen për pesë vjet nga tregu shqiptar i hidrokarbureve. Sipas kontratës së shitblerjes së ARMO-s, është rënë dakord midis dy palëve që “për një periudhë 5 (pesë) vjeçare, duke nisur nga data e kësaj Kontrate, as Anika e as Taçi nuk duhet të marrin pjesë, drejtpërdrejtë a tërthorazi, apo të kenë interes financiar apo tjetër, në ndonjë person juridik që merret me rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit apo çdo produkti a shërbim energjetik në Shqipëri”.

Kjo është një ndër klauzolat e kontratës, me anë të së cilës Taçi ka pranuar të shesë aksionet e tij, kundrejt një shifre prej 50 milionë eurosh, shumë më pak se 128 milionët që ka paguar për të privatizuar 85% të aksioneve në kompaninë e dikurshme shtetërore.

Por, edhe këto para nuk do t’i jepen menjëherë. Brenda 24 orëve blerësi duhet të paguajë me transfertë bankare, në fonde të disponueshme menjëherë, shumën prej tridhjetë e pesë milionë euro. Tetë muaj nga data e mbylljes së kontratës, blerësi duhet të paguajë pesë milionë euro dhe kur të mbushen 18 muaj nga data e mbylljes, blerësi, duhet të paguajë dhjetë milionë euro në llogarinë bankare të shitësve, të vënë në dispozicion nga Taçi. Kontrata vendos, në fakt, kushte shumë të vështira për Taçin.

Për kontratën ka dhënë pëlqimin e tij edhe ministri Florjon Mima, me anë të një letre përgjigje të datës 31 korrik të këtij viti, ku informon Rezart Taçin se ministria e Ekonomisë është dakord për transaksionin, me kusht që kompania blerëse të jetë dakord me pjesëmarrjen 15% në aksione të shtetit shqiptar në ARMO.

PYETJE - PERGJIGJE
 
A është me leverdi për shtetin kjo shitje?
 
Taçi e çoi në shkatërrim ARMO-n dhe largimi i tij nuk mund ta dëmtojë më tej atë. Por duket se qeveria në ikje merakoset për të siguruar kontrollin e saj me anë të njerëzve pranë pushtetarëve aktualë.
 
Ish-ortaku i Taçit bëhet administrator i ri. Ka të bëjë kjo me interesat e Taçit?
 
Kjo mbetet për t’u parë, por duket më e vështirë tani që të ketë qenë Taçi në origjinë të transaksionit; më tepër ai duket se e kanë detyruar të shesë aksionet, po të nisesh nga kushtet e vendosura se angazhohet të mos jetë prezent në tregun e naftës.
 
A është i lirë Taçi t’i shesë aksionet e tij?
 

Qeveria e re duhet të hetojë me vëmendje se kush është pas kompanisë, që hiqet si azere por është e regjistruar në një vend i njohur si “off shore”, ose parajsë fiskale. Në rast se nuk ka probleme, marrëveshja mund të miratohet.

dokumenti i regjistrimit te armo
(Në foto: Faksimile e dokumentit historik të regjistrimit të kompanisë Taçi Oil, themeluar nga Fation Veizaj e Rezart Taçi, ku ata ndajnë aksionet në raportin 45-55)
kontrata e armos
(Faksimile e kontratës së ARMO-s)

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt 08.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar