Janë 545 të tillë që do marrin këstin e parë të dëmshpërblimit javën që vjen, nga të cilët 180 ish të përndjekur mbi 85 vjeç. Ministri Veliaj, kur nënvizoi se do donte të ishin më shumë se 18 milionë USD, përpos dëmshpërblimit në tërësi të ish-të përndjekurve, theksin e ka vënë në likujdimin komplet brenda vitit të ardhshëm të atyre që janë gjallë, duke kërkuar dhe ndryshim të ligjit, thjesht për të lëvizur renditjen në favor të ish të përndjekurve që janë akoma gjallë.
“Prioriteti im si ministër është që ata ish të përndjekur që janë gjallë - dhe nuk janë më shumë se 2 mijë - të marrin të 6 këstet e dëmshpërblimit, pra likujdim total brenda vitit të ardhshëm. Për këtë do inicioj një ndryshim në ligj, thjesht për të ndryshuar formulën e shpërndarjes së dëmshpërblimit, që radha të jetë në fillim për ata që janë gjallë, në mënyrë që brenda vitit të ardhshëm të përfundojë dëmshpërblimi për ta, pasi mjaft janë zvarritur 23 vite pa marrë asnjë lek”, deklaroi për gazetën “Shqiptarja.com”, ministri Veliaj.
Ai tha se parashikon dhe zëra kundër ndryshimit, por shprehet i vendosur që fëmijët, mbesat e nipërit e ish të përndjekurve të presin sa të dëmshpërblehen të gjallët. Ndërsa Rama nënvizoi: “Të mbyllim plagët e keqtrajtimit moral dhe pastaj hap pas hapi do ecim me kompensimin material. 18 milionë dollarë vendosëm këtë vit. S’janë shumë, por ne, dhe pse gjetëm një mal borxhesh të paditura më parë, kemi akorduar sasinë më të madhe të fondeve që një qeveri ka akorduar nga një qeveri jo në një vit elektoral. Unë nuk mund ta krahasoj fondin kur qeveria e shtoi me urgjencë, kur vdiq i ndjeri Lirak. Në mars, rreth 500 persona do marrin këstin e parë. Ne evidentuam rreth 300 dosje problematike që s’ishin plotësuar, por harruar”,- tha Rama.
“Si do mund të justifikohej kushdo qoftë që ka pasur detyrë për t’u marrë me çështjen e të përndjekurve, dhe 2027 dosje s’janë prekur kurrë me dorë, edhe pse një pjesë e tyre janë në fund të jetës. Hipokrizi e pashoqe”,-tha Rama. Ai tha se të vetmet hapa në këto 23 vjet, janë bërë në vitet e para të pluralizmit, që ishin 400 shtëpi e disa bursa për studentë. “Dhe të përndjekurit u ndanë në tanët e atyre, duke i futur në kurthin e Enver Hoxhës, të përçarjes dhe duke shtypur mendimin ndryshe”, shtoi Rama. Ai theksoi se edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite që kanë dalë nga terri i Enver Hoxhës, të përndjekurit e kanë të pamundur të ndjehen që jetojnë si të tjerët në hapësirën e lirisë që solli rënia e regjimit komunist.
Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)