“Partia Demokratike ndoqi sot me shqetësimin më të madh skenat e dhunës shtazore të urdhëruar nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë që kishin rrethuar parlament. Sot narko-policia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, spraj, lëndë piroteknike, topat e ujit, zvarritjen dhe përgjakjen e protestuesve paqësorë me një egërsi të papërmbajtur” Këto ishin fjalët që artikuloi sot Sali Berisha në mbrojtje të protestuesve që u mblodhën sot para kuvendit duke shënjestruar me gurë dhe vezë jo vetëm deputetët por edhe forcat e rendit duke lënë 9 prej tyre të plagosur.
Pas kësaj deklarate, kreu i Grupit Parlamentar të PS postoi një video tjetër në rrjete sociale për të përgënjeshtruar Berishën dhe treguar se protestuesit nuk ishin aspak paqësorë
Pamjet e shpërndara prej tij tregojnë momentin e frikshëm kur një i ri i vërsulet forcave të rendit me një gur të madh e të rëndë, ndërsa miq të tjerë të tij vazhdojnë sulmet me gurë. Në sfondin e kësaj videoje jehon zëri i Sali Berishës, të cilin Balla rëndom e quan Buf, ku akuzon policinë për dhunë.
Pamjet Balla ka preferuar t’i ndajë pa koment por duke lënë të kuptohet që dhuna në fakt është kolona zanore e PD-së dhe se egërsia e papërmbajtur për të cilin ai foli erdhi pikërisht nga rruga e jo nga policia.










