Ish-ambasadori Luan Rama për sopranon shqiptare: Jaho, një martire e kohëve moderne

Shkrimtari, publicisti dhe ish- ambasadori i Shqipërisë në Francë, Luan Rama, është ndaluar këtë herë tek interpretimi mbresëlënës i sopranos shqiptare Ermonela Jaho në skenën e operës mbretërore në Londër, ku ka luajtur rolin e Violetës tek opera “Traviata” e kompozitorit italian Xhuzepe Verdit. Ai teksa përshkruan rolin e Violetës prej saj, në skenën e “Covent Garden” në Londër, këtë fund janari, thotë se kjo bëhet edhe më reale, kur Jaho këndon klithmën e fundit të personazhit. Klithëm që sipas Ramës  ngjason me atë të në një bote pranë engjëjve.

Rama e krahason sopranon me një martire të kohëve moderne, e cila sa herë ngjitet në skenë, ngjitet sikur të ishte hera e fundit. “Ermonela Jaho është një martire e kohëve moderne. Një martire e artit sublim. Një martire që i ka ngjitur ato shkallë arti si të këndojë për herë të fundit. Po, është kjo ndjesi me të cilën ajo ngjitet gjithnjë në skenë”, shkruan ish-ambasadori Luan Rama.  

Statusi i plotë i ish-ambasadorit të Shqipërisë në Francë, Luan Rama: 

E pashë… një imazh nga skena e «Covent Garden» në Londër, këtë fund janari 2019… Ishte sfilitja në fytyrën e sublimes. Pashë sytë e venitur ku shpirti kishte klithur arjet më të bukura dhe ku trupi hepohej e dukej se do binte në humbëtirë. Ç’spektakël i dhimbshëm, i mrekullueshëm e madhështor njëherësh. Një puthje për botën tej dhe një dorë që rreh mbi skenë si të prekë një talisman të shenjtë...Të shohësh trupin që dridhet dhe dorën që zgjatet një çast për tu mbajtur pas siparit që të mos bjerë, pasi trupi s’ka më peshë atë çast: është vetëm shpirti. E pas gjithë asaj shkulme zëri të ndritur ç’mund të shohë artisti veç tjetër gjë asaj salle, ndoshta një botë të mjegull me një eho të largët duartrokitjesh. Askush nuk e di. Ajo nuk është më aty duke kënduar klithmën e fundit të një Violete të «Traviatës»… ndoshta në një botë të vetë engjëjve. As ajo vetë nuk e di. Duartrokitjet marramendëse në veshët e saj janë thjesht një puhizë e ëmbël, mirëdashjeje që mezi e dëgjon.Në historinë e krijimit artistik jo vetëm shqiptar por dhe botëror, nuk kam pare një përkushtim të tillë, ku arti ngjan se e ka plagosur për vdekje zemrën e krijuesit të vet, atë shpirt, atë instrument kordash të papërsëritshëm, atë dashuri arti të pakufishëm, sepse artisti i ngjan një martiri të vërtetë që i ka falur artit gjithçka, gjithë forcat dhe dashuritë, dhe frymën e tij. Një alkimi që rrallë ndodh tek artistët e botës ku çmimi i sakrificës duket se i kalon dimensionet njerëzore e që njerëzimi e ka njohur ndoshta veçse në gjenitë e Renesansës italiane.Ermonela Jaho është një martire e kohëve moderne. Një martire e artit sublim. Një martire që i ka ngjitur ato shkallë arti si të këndojë për herë të fundit. Po, është kjo ndjesi me të cilën ajo ngjitet gjithnjë në skenë. Vështroj imazhin e saj dhe drithërohem me frikën se mund të bjerë. Por ajo i ka gjetur gjithnjë forcat, pasi është një ngjizmë e madhe dashurie"- shkruan Luan Rama në rrjetet sociale.

Statusi i publikuar nga ish-ambasadori Luan Rama

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë