TIRANË- Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi ku kërkon shkarkimin e anëtarëve të Vettingut, sepse sipas tij janë zgjedhur në mënyrë Anti- Kushtetuese.

Në letrën prej 26 faqesh ai ka dhënë argumente se përse rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të bëhet nga këto anëtarë, teksa ndalet me emra konkret.

"Në përfundim nga sa më sipër duke rezultuar që procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë që në momentin e fillimi ka qenë dhe vazhdon te jetë në një situatë paligjshmërie për shkak se të paktën 6 (gjashtë) prej anëtarëve të institucioneve të saj janë zgjedhur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore Ju kërkoj të ndërmerrni hapat e e duhura kushtetuese dhe ligjore për ndërprerjen e kësaj paligjshmërie e cila jo vetëm nuk do të garantojë funksinimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe rikthimine  besimit të publikut tek institcionet e këtij sistemi  por ka dëmtuar e po dëmton në mënyrë të pariparueshme shtetin e së drejtës dhe sistemin gjyqësor në vendin tonë", shkruhet mes të tjerave në letër.

Muçi ka vënë në dijeni edhe ndërkombëtarët.

"Po Ju vë në dijeni të kësaj kërkese dhe situate paligjshmërie jo thjesht për faktin që Ju jeni miqtë dhe partnerët më të rëndësishëm të popullit tim dhe se drejt standardeve ligjore të vendeve Tuaja ne kërkojmë të shkojmë por edhe për faktin se nëpërmjet Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Ju jeni pjesë thelbësore e këtij procesi që ka prodhuar këtë situatë paligjshmërie, të cilën jam plotësisht i bindur që asnjë nga Ju nuk do ta dëshironte dhe lejonte në vendet Tuaja", shkruan Muçi.

Besnik Muçi është një nga gjyqtarët që nuk e kaloi Vettingun. Ai u emërua nga presidenti Ilir Meta si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, por pasi "ngeci" në Vetting kreu i shtetit njohu largimin e tij.

Pjesë nga letra e Besnik Muçit drejtuar kreut të Kuvendit

(Kliko ketu për të lexuar letrën e plotë në gjuhë shqipe)

(Kliko ketu për të lexuar letrën e plotë në gjuhë angleze)