Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, i cili në mars të vitit 1999 kishte dhënë urdhër për bombardimin ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe ka thënë se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, në rast se Rusia nuk ndalohet në Ukrainë.
Gjatë një interviste online bashkë me kryeministrin Kurti për rrjetin e njohur televiziv amerikan, CNN, ka thënë se Serbia është dora e Rusisë në Ballkan.
“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë dhe i shërben interesave të saj. Vuçiç është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini. E ajo që ai do nga Putini është sigurisht autoriteti për të përdorur forcat e tij në Kosovë, dhe sigurisht ndarja e Bosnjës dhe bërja e ‘Serbisë së Madhe’”, ka thënë Clark.
Sipas tij nëse në 30 vjetët e fundit ka pasur shumë dhunë e vrasje dhe është menduar se NATO-ja e ka ndaluar një gjë të tillë njëherë e përgjithmonë, por konflikti në Ukrainë dëshmon se ai problem mund të vijë në Ballkan.
Clark tutje ka thënë se NATO duhet të përfshihet në çlirimin e Ukrainës, ashtu siç bëri në Kosovë në vitin 1999.
“Putin e di se ne nuk duam provokim që çon n konfrontim bërthamor dhe vazhdon të na paralajmërojë me stërvitje bërthamore. E di se NATO nuk ka frikë nga kjo. Ne (gjatë vitit 1999) këmbëngulëm, NATO këmbënguli sepse SHBA si lider këmbënguli dhe Britania po ashtu, ashtu sikurse Albright dhe Clinton. Ne nuk u tërhoqëm. Kjo është koha kur NATO duhet ta dyfishojë vendosmërinë e saj se Putini nuk do të fitojë dhe duhet të bëjmë më shumë sesa të ofrojmë armatim. NATO duhet të bëjë më shumë, për shembull në Kosovë sot ka 25 vjet demokraci, është shtet i lirë. Isha atje, të gjithë kanë një histori tmerri ashtu siç e rikujtoi kryeministri (Albin Kurti) dhe të gjithë janë falënderues për NATO-n. Duhet të jetë e njëjta për Ukrainën, duhet ta shpëtojmë Ukrainën. Është detyra jonë si NATO”, ka thënë Clark. /Rtk/
Prishtine- Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për t’i larguar bazat ushtarake përreth kufirit me Kosovën.
Gjatë intervistës së përbashkët me Wesley Clark për CNN, Kurti tha se Serbia dhe Rusia janë të ngjashme për shkak të interesit të përbashkët të tyre për t’i zgjeruar territoret e tyre.
Kryeministri Kurti ka thënë se Serbia është një fqinj shumë agresiv dhe e pret një mundësi për t’u futur në Kosovë, prandaj sipas tij një gjë të tillë duhet ta parandalojnë partnerët perëndimorë.
“Fqinji ynë Serbia është shumë agresiv ndaj Kosovës, fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur. Krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi. Ka 48 baza operative përreth kufirit duke pritur për një dritare mundësie. Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila ka 50-150 ushtarë. Nëse flasim nga aspekti politik, Serbia është e ngjashme me Federatën Ruse. Ata nuk njohin de facto dhe de juro fqinjët e tyre sepse ata duan zgjerim”, ka thënë Kurti.
Në aspektin historik, kulturor dhe operacional, Kremlini dhe Beogradi e kanë imituar njëri-tjetrin, tha mw tej Kurti. “...prandaj jemi të shqetësuar sepse është në interesin e Kremlinit që të përhapë konflikte të tjera në Evropë përmes bashkëpunëtorëve të tij. Dhe Serbia në Ballkan është shtet hegjemonist dhe njëkohësisht bashkëpunëtore e Rusisë”, ka shtuar ai.
I pyetur se çfarë bëri NATO për shtetin e tij, Kurti është shprehur: “Muajin e kaluar festuam 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa intervenimin e NATO-s, pa aeroplanët e NATO-s që bombarduan për 78 ditë forcat policore dhe ushtarake të liderit serb Sllobodan Millosheviç. Ishte lufta e katërt që kishte nisur në territorin e ish-Jugosllavisë.
Gjatë gjithë viteve ’90 paraprakisht, ishin dhjetëra masakra kundër popullsisë civile në Kosovë, ku gra, fëmijë dhe pleq u vranë, gra të përdhunuara, shtëpi dhe fshatra të tëra u dogjën. Krejt kjo ishte projekt gjenocidal i Millosheviçit. Kushdo që është ende gjallë dhe ishte në Kosovë më 10, 11, dhe 12 qershor të vitit 1999 e di se ato ditë janë ditët më të lumtura të jetës së tyre. Çlirimi u mundësua nga qëndrueshmëria dhe lufta e njerëzve dhe nga ndërhyrja e NATO-s”, ka theksuar tutje Kurti në intervistën për CNN me gazetaren e njohur Christiane Amanpour. /Rtk/