Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec të Vlorës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar disa prej komenteve me gjuhë urrejtje kundrejt kryeministrit, për takimin e zhvilluar sot nga PS në Elbasan, Rama ka ironizuar protestuesit duke thënë se ata i japin vetes të drejtën të shajnë e ofendojnë, kur të tjerët mblidhen në takime të ndryshme (rasti konkret festa e PS në Elbasan).

Më tej kryeministri Rama ka këmbëngulur se investimet në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec nuk do të ndalen kurrësesi, pasi sipas tij, ato projekte do të jenë motor i zhvillimit ekonomik të vendit.

Rama ripërsëriti kritikat ndaj blogerëve dhe influencerëve, që sipas tij shkojnë në bulevard për të marrë folloëersa dhe like në rrjetet sociale.

Reagimi i Ramës:

SHËNIM I DETYRUAR

Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme

Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota