Ne ishim të ngrohtë, të nxehtë. Ju jeni të ftohtë, të akullt.

Ne ishim të afërt. Ju jeni të largët.

Ne skuqeshim, zverdheshim. Ju as skuqeni, as zverdheni Ju jeni pa ngjyra. Zoti ju ruajt mos mbeteni edhe pa zë.

Ne flisnim me zë të ulët nga frika se na ikte koka. Juve, ndonëse koka s'ju ikën për asgjë, duhet t'ua nxjerrësh fjalët me çengela.

Ne qeshnim me gjithë shpirt, sokëllinim sa malet i tundnim. E qeshura lejohej. Madje na thoshin: Qeshu, rini, qeshu se bota është e imja. Ju nuk qeshni. Ju ckërmiteni, zgërdhiheni. Për ju e qeshura jonë i përket parahistorisë.

Ne nuk nguteshim. Ne kishim kohë. Dhe kohën e përdornim. Edhe ju keni kohë, por kohën e vrisni duke u ngutur sikur çoç po bëni.

Ne lëviznim pak, zhvendoseshim afër, ishim tmerrësisht të kontrolluar, megjithatë hapësira ishte e gjitha e jona, secili prej nesh ishte një Zog i Qiejve. Ju që lëvizni shumë dhe ikni larg, nga zogjtë e qiejve dhe qiejt e zogjve s'keni ide, prapëseprapë ndiheni ngushtë si në ashensor.

Ne heshtnim nga frika se po të flisnim, na burgosnin. Por heshtja jonë nuk ishte heshtje bosh. Ishte heshtje e thellë, heshtje meditative, heshtje plot. Ju heshtni sepse s'dini të flisni. Heshtja juaj është plot me boshin e kozmosit shurdhmemec.

Femrat tona ishin të ngrohta, të nxehta, të zjarrta si protuberanca Diellore. Femrat tuaja janë të ftohta, të acarta, sikur sapo kanë dalë nga frigoriferi.

Ne ishim seriozë. Ju jeni qesharakë.

Ne ishim trima. Ju jeni ngrehalucë.

Ne vdisnim për Dashurinë. Juve as s'ju shkon ndërmend.

Ne e prisnim tjetrën me vite. Ju nuk e prisni as me minuta.

Ne lexonim romane. Edhe të ndaluar. Dhe mahniteshim pas jetëve dhe ndërlikimeve të jetëve të personazheve. Juve, edhe po e nisët ndonjë lexim, e hidhni librin tutje pas dhjetë minutash, se ju zë makina pas gjysmë faqeje, dhe villni.

Ne s'mund të udhëtonim "jashtë shtetit" se na sharronte kallashnikovi. Madje as "brenda shtetit", as deri në Librazhd apo Ersekë, ku na kontrollonin pasaportën nga frika mos arratiseshim nga atdhjeu. Megjithatë e njihnim botën më mirë se ju që botës i bini kryq e tërthor me aeroplanë dhe Jeep-a.

Ne s'kishim telefona, por afroheshim, takoheshim, përqafoheshim, putheshim. Ju që keni telefona dhe internet, veçse ikni, largoheni, ftoheni. Prekjen, puthjen, përqafimin, as e dini se kanë ekzistuar.

Ne adhuronim personazhet e Letërsisë serioze, Anna Karenina, Emma Bovary, Beatrice, Natasha Rostova, e të tjera e të tjera që ju s'ua keni haberin, dhe cilindo që jua sjell në vëmendje e quani të çmendur.

Ne na zbehte hëna, na ndriste dielli, na fëmijëzonte gjumi. Ju gjithë kohës të verdhë si kufoma.

Ne u bënim femrave komplimente si ky: "Meqënse për 1 puthje më dënojnë 1 vit burg, do të puth aq herë sa të më dënojnë postum me burgim të përjetshëm." Gjëra këto, që juve ju duken marrina.

Ne nuk vuanim nga protagonizmi. Ishim vetvetiu aq të rëndësishëm, sa prej secilit vareshin fatet e botës. Ju, për t'u dukur të rëndësishëm, nuk ngrini telefonin, edhe kur e dini se tjetri po të telefonon për hallin tënd.

Ne kurrë nuk ua bënim fjalën dysh, dhe respektonim si Perëndinë: prindin, mësuesin, klerikun, të moshuarin, të diturin, të vuajturin, të sëmurin, të vetmuarin. Ju ata i konsideroni rraqe, sende të hedhura, dalë jashtë përdorimit.

Ne ndryshuam kohën. Juve ju ndryshon koha.

Neve na iknin lotët. Juve sytë s'ju janë lagur kurrë.

Ju hani, pini, visheni, mbatheni, udhëtoni, por sesi jeni, si qirinj të fikur, si dru të shtrembër, si udhëtarë të lodhur, si hallexhinj të rraskapitur.

Ne hanim pak, visheshim keq, gëzoheshim rrallë, por qemë kryelartë. Rrinim drejt. Ishim të çartallosur dhe të arsyeshëm, të rreshkur dhe të butë, të dashur dhe të bukur.