Atentati i dështuar ndaj 'Otit të Elbasanit', kunati dhe miku i Erion Alibejt mohojnë akuzat: S'kemi dijeni për 'BMW X6' dhe 3 kallashnikovët

ELBASAN - Dy të arrestuarit Arben Spahiu 53 vjeç dhe Arsen Preçi 44 vjeç kanë mohuar se kishin marrë urdhër për atentatin që dështoi ndaj Elton Kilës të njohur si 'Oti i Elbasanit'. Pasi janë marrë në pyetje për mjetin 'BMW X6' që u sekuestrua brenda të cilës u gjetën 3 armë zjarri, si dhe për dokumentet e falsifikuara që i përkisnin Spahiut, kanë mbajtur deklarim mohues. Spahiu, sipas burimeve të Report Tv ka pohuar se nuk ka dijeni për mjetin dhe armët.

Ndërsa në lidhje me dokumentet e falsifikuara greke me foton e tij, Spahiu ka thënë se mund të jenë bërë nga dikush që ka dashur t'i bëjë keq. Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të vërtetuar lidhjen e tyre me Erjon Alibejn që ndodhet pas hekurave dhe dyshohet se i dha porosi për atentatin nga qelia. Nëse arrihen provat, çështja mund t'i kalojë SPAK pasi kalon në grup të strukturuar kriminal.

Në duar, hetuesit kanë çelësin e makinës me armë të gjendur brenda një çantë të hedhur në kosh mbeturinash pranë banesave të familjarë të Alibejt, bashkë me dy dokumente identifikimi false me emra grek por me foton e kunatit të Erion Alibej, Arben Spahiu

53-vjeçari që u arrestua dje bashkë me mikun e tij Arsen Preçi 44 vjeç, që e ka shtëpinë vetëm 20 m larg Alibejve, dhe dyshohet se kishte armët, ndërsa Spahiu dyshohet se do bënte atentatin. Dyshohet se pasi makina e parkuar pranë zonës së ish-Konservimit, është gjetur nga policia, Arben Spahiu ka hequr çdo gjurmë të mundshme nga shtëpia duke i paraprirë kontrollit nga policia, dhe ka hedhur në kosh çantën ‘marsup’ brenda së cilës kishte dhe 1 pistoletë. Automjeti i armatosur deri në dhëmbë, rezulton të jetë vjedhur në 6 shkurt 2023 në Shkodër dhe ka qëndruar rreth 2 javë pranë banesës së Erjon Alibejt. Arben Spahiu, është vëllai i Ardit Spahiut, i vrarë në Belgjikë në 2020-ën dhe Rigers Spahiut, i arrestuar në 2022 me arsenal armësh në Elbasan.

Elton Kila, 42 vjeç, i njohur ndryshe si Oti i Elbasanit, të dielën po kthehej nga Tiranë për në Elbasan dhe në makinë kishte familjen me vete, gruan dhe fëmijët.  Më herët, ai i ka shpëtuar 4 atentateve mafioze. I parafundit ishte ai i 29 marsit 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili u nis ta vriste me urdhër të Suel Çelës, i njohur përfshirjen e tij në disa veprimtari kriminale, por Dumani, sot i penduar i drejtësisë, mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua. Kila në tetor 2018 u arrestua si ‘kapo’ i trafikut të drogës ndërsa rezultonte pronar i një jahti luksoz dhe i 39 makinave të luksit, mes tyre edhe Ferrari që u sekuestruan, por fitoi lirinë vetëm 2 muaj më vonë. Ndërkohë, rivali i tij Erjon Alibej është arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, të cilën e zbërtheu Nuredin Dumani, për porositjen e të paktën 2 vrasjeve, të Emiljano Ramazanit e Regis Runajt. Erion Alibej dyshohet se ka gisht edhe në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, i ekzekutuar brenda një lokali në Bradashesh në 2020-ën.

Atentati i planifikuar dështoi pasi dhjetëra forca policie kanë rrethuar makinën BMW X6 në bordin e të cilës janë sekuestruar 3 armë të llojit kallashnikov, dhjetëra fisheke, si dhe 2 shishe me lëndë ndjekëse. 

Si u zbulua makina BMW X6 gati për atentat
Dy ditë më parë, forcat blu arritën të parandalonin një atentat mafioz përmes operacionit “Inteligjenca” pasi ngritën pika të shumta kontrolli në ambiente ku dyshohej se fshiheshin sende ose mjete që do të përdoreshin për ekzekutim.

Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.  

Personat e dyshuar, Arben Spahiu dhe Arsen Preçi për shkak të presionit policor në terren, pranë shtëpisë së Erjon Alibejt (i arrestuar) fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren