Që prej nëntorit të vitit 2020, 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Një ditë pas dëshmisë së tyre në Hagë Fatmir Sopi-nënkryetar i OVL të UÇK-së përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’, tha se 4 ish-krerët UÇK gjatë dëshmive të tyre ishin dinjitozë- ashtu siç janë dhe kanë qenë me çdo sfidë që i ka përballur jeta.

“Ata ishin dinjitozë, të fortë dhe të paepur para çdo sfide. Në fakt e gjithë jeta e tyre ka qenë një sfida. Gjithmonë kanë qenë në gatishmëri për t’iu përgjigjur atdheut kur ka qenë e nevojshme. Kjo prokurori është në panik të madh se nuk ka baza mbi akuzat ka që ka ngritur. Kjo gjykatë dhe kjo prokurori në veçanti kanë devijuar rrugën e vërtetë për të cilën është formuar kjo gjykatë. Gjykata është formuar nën presion ndërkombëtar. Është e papranueshme, kjo gjykatë ka devijuar rrugën nga e vërteta”, tha Fatmir Sopi.

Ndër të tjera Fatmir Sopi ka komentuar edhe në lidhje me dëshminë që ai ka bërë në Hagë një vit më parë.

"Kam qenë dëshmitar nën kërcënimin e prokurorisë. Më thanë nëse nuk do të përgjigjeni do t’ju mbajmë të burgosur. Arsyeja se pranova të dëshmoj ishte pyetja 'çfarë keni  fshehur'. I thashë nuk kemi fshehur asgjë, lufta jonë ka qenë e pastër si loti, nuk mbahet mend të kemi bërë masakra ndryshe nga Serbia që ka vrarë burra, gra e fëmijë. Prandaj dëshmova për pastërtinë e kësaj lufte”, shtoi ai.

Në fund të fjalës së tij Sopi nënvizoi se nuk njohin vendim tjetër përveç pafajësisë.

“Frika jonë është se kjo gjykatë është politike dhe nuk ka të bëjë me drejtësi. Para asaj gjykate është e gjithë përpjekja jonë shekullore për liri”, tha i teksa nënvizoi se për ta as një vendim përveç pafajësisë nuk është i pranueshëm.