Ish drejtoresha e shërbimit informativ shtetëror Vlora Hyseni, nuk ka humbur kohë por i është drejtuar menjëherë Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”. Kërkesa është dorëzuar dje në sekretarinë e GJKKO, e cila pritet t’ia përcjellë gjykatës së Posaçme të Apelit.
Hyseni dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t.
Në pretendimet e saj para Prokurorisë së Posaçme, Hyseni ka deklaruar se kontaktet e saj sistematike me Agasin ishin në cilësinë e bashkëpunëtorit të SHISH, duke mohuar takimet nga afër. SPAK thekson se Hyseni nuk kishte vënë në dijeni askënd, asnjë institucion dhe as të tjerë brenda apo jashtë SHISH.
Sipas SPAK, biznesmeni diktonte dhe merrte informacionet që i duheshin nga Hyseni. Ai ka pranuar edhe se kishte lënë qëllimisht dokumente sekrete në makinën e tij në mënyrë që të gjendeshin kur të kryenin kontrollet.
Në komunikimet e gjetura nga SPAK në telefonin e biznesmenit, rezultojnë mbi 500 shkëmbime mes tyre në Signal, një aplikacion i enkriptuar, që nga fundi i qershorit e deri më 26 gusht kur Agasi përfundoi në pranga. Komunikimet ishin të përditshme, me mesazhe, videotelefonata, imazhe e video.
Në Këshillin e Sigurisë të thirrur të hënën nga presidenti Bajram Begaj, kreu i SPAK, Klodian Braho, pranoi se emri i Hysenit ka dalë gjatë hetimeve për Ergys Agasin.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento