Ish-kreu i SHISH: Ja ç’do ndodhë me Berishën pas lënies së tij në ‘arrest shtëpie’ dhe të fshehtat e urdhrit të tij për të shtënë mbi protestuesit në 21 janar

Ish-kreu i SHISH: Ja ç’do ndodhë me Berishën pas lënies së tij në ‘arrest shtëpie’ dhe të fshehtat e urdhrit të tij për të shtënë mbi protestuesit në 21 janar

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend.

Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Klosi u ndal fillimisht tek masakra e “21 janarit” ku 13 vite më parë gjatë një proteste të opozitës së kohës mbetën të vrarë 4 qytetarë të pafajshëm, izolimi në banesë i ish-kryeministrit Berisha dhe deklaratave të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili javën që shkoi paralajmëroi ditë të zeza për të korruptuarit, zullumqarët dhe të inkriminuarit.

Sipas Klosit, “21 janari” ishte krim shtetëror dhe si i tillë duhet zbardhur. Madje ai zbuloi se në “21 janar” Garda e Republikës do të qëllonte mbi liderin e opozitës së kohës, Edi Rama, sot kryeministër. Sa i takon deklaratave të Dumanit, ish-kreu i SHISH shtoi se ato tregojnë se SPAK nuk është i kapur nga Partia Socialiste siç artikulon opozita.

-Zoti Klosi, Altin Dumani tha se kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama janë nën hetim nga SPAK dhe konfirmoi se drejtësia e re nuk pyet për emra, si i komentoni këto deklarata?

I ka dhënë përgjigje atyre që thonë se SPAK është  i kapur nga Partia Socialiste, tregon se janë të pavarur dhe se po punojnë.

-Apeli i Posaçëm e la ish-kryeministrin sërish në “arrest shtëpie”, çfarë do të ndodhë tani me Berishën? Si e shihni mënyrën që ka zgjedhur për t’u përballur me SPAK?

Sali Berisha tani nuk ka asgjë më në dorë. Ata ja bënë të qartë se kjo ishte masë meqenëse ai nuk u paraqit në SPAK. Tani vendos prokuroria dhe besoj se avokatët i kanë thënë se s’ka shaka me prokurorinë. Nuk do të doja që puna të shkojë deri tek arrest me burg edhe për moshën që ka, por që ka qenë edhe president edhe kryeministër.

Mos ta bëjë veten të shkoj në burg, por ti bindet konditave që i ka vendosur prokuroria. Edhe pse i është thënë mos komuniko me njerëz, prapë ai mban fjalime dhe ata e kanë lënë sepse duket se nuk e pengon punën e prokurorisë me këto që bën.

-Nga ana tjetër të ndalemi pak tek qasja dhe skemat e dhunës që po aplikon grupi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës në Kuvend dhe komisione, çfarë duan të tregojnë me këto skena kaosi?

Ata duan të prishin punë. Nuk janë të interesuar për reformën zgjedhore. Ata e dinë se më të gjitha këto që po bën Berisha nuk do jenë më kaq deputet sa janë sot. Populli dhe besnikët e tij janë mërzitur me këtë sjellje të tij. Edhe pse po bëjnë këtë, seancat po bëhen ligjet miratohen shpejt, pastaj ata ankohen pse kalojnë shpejt.

Parlamenti tribuna e tij më shumë i duhet opozitës sesa pozita. Opozita duhet të tregoj se si do ta bënte ajo diçka. Saliu mburret me këtë. Deputetë janë rrogëtar thotë ai, bëni kështu dhe ata bëjnë, por e vështirë është që të bind popullin dhe e kemi parë që si bindet më.  

-Një zhvillim të rëndësishëm së fundmi ka pasur dhe për aferën “CEZ-DIA” që rrezikon të çojë pas hekurave shumë zyrtarë të lartë. SPAK mori në pyetjet gazetarin që intervistoi gruan e Kastriot Ismailajt, e cila me deklaratat e saj ka fundosur Ilir Metën, mendoni se kjo dosje do të shkaktojë “tërmet” në politikë?

E ka marrë të ndihmojë prokurorinë të zgjidhë hallet që ka. E kanë parë interesante që mbase gazetari ka diçka për të thënë dhe sa më shumë informacion të ketë aq më mirë e bënë punën e saj. Mbase ka njerëz që e presin që politika të tronditet, por unë pres që prokuroria të bëjë punën e saj.

-Gjykata e Lartë vendos më 27 shkurt nëse dosja e “21 janarit” do i kalojë SPAK? Mendoni se kjo aferë do të zbardhet?

Dua që të zbardhet. Më vjen mirë që Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar si krim shtetëror ‘21 janarin’, sepse ka qenë krim shtetëror. Asnjë nga garda nuk do të qëllonte  pa marr urdhër  nga dikush më lart atyre. Ishte çudi që nga ata që qëlluan u konsiderua se ishte padashje, ajo ngjarje është e pasqaruar. Nuk është prekur me gjyqet që janë bërë deri më tani zinxhiri drejtues.

Ka qenë një ngjarje e përgatitur, Berisha donte që të vriste njerëz atë ditë. Ata u vranë për të dëshmuar se Berisha ishte njeriu që e bënte zap këtë popull. Por, gaboi sepse u bënë kur demonstrata kishte mbaruar, por ishin për të treguar që ne e bëjmë zap këtë popull dhe donte që t’ja tregonte ndërkombëtarëve. Ka shumë punë sepse është mbyllur njëherë, njëri prej tyre s’ka vrasës, por rëndësi ka se kush urdhëroi. Ai e tha edhe më vonë që unë vrisja edhe 1 mijë, madje edhe Edi Ramën nëse vinte këmbën në oborrin e Kryeministrisë./ Sot

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë