Ish-kryeministri grek Alexis Tsipras prezantoi të martën partinë e tij të re politike, me të cilën shpreson të bashkojë opozitën e fragmentuar të vendit, në një moment kur pakënaqësia ndaj establishmentit politik dhe korrupsionit po rritet në gjithë Greqinë.
Tsipras, i cili humbi pushtetin në vitin 2019, u bë i njohur ndërkombëtarisht si lider i partisë radikale Syriza, që u përplas me Brukselin dhe Berlinin gjatë krizës së borxheve në eurozonë.
Që prej asaj kohe, politika greke është dominuar nga partia konservatore “New Democracy” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Ai kryeson bindshëm në sondazhe dhe pritet të shpallë zgjedhje para verës së vitit 2027, ndërsa Tsipras po përpiqet të pozicionohet si sfidues i mundshëm.
Tsipras, 51 vjeç, e prezantoi partinë e re “Elas” si një lëvizje për të bashkuar të majtën përtej bazës së tij tradicionale radikale, megjithëse emri ka shkaktuar polemika pasi lidhet me ushtrinë e rezistencës komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai prezantoi projektin e ri në një fjalim 40-minutësh në qendër të Athinës, me Akropolin e ndriçuar në sfond, duke përshëndetur mijëra mbështetës si “shokë” dhe “miq”. “Deklarata jonë sot shënon fillimin e një përpjekjeje të re kolektive për të krijuar një aleancë të gjerë progresiste”, tha Tsipras.
Ai shtoi se partia e re do të përfshijë “të majtën radikale, socialdemokracinë dhe ekologjinë politike”. Përpjekja e Tsipras për t’u rikthyer në vijën e parë të politikës vjen në një kohë kur sondazhet tregojnë pakënaqësi të thellë të grekëve me gjendjen në vend.
Pakënaqësia është shtuar edhe më shumë nga një sërë skandalesh të mëdha: reagimi i qeverisë ndaj aksidentit më vdekjeprurës hekurudhor në vend, përgjimet me spyware ndaj politikanëve dhe gazetarëve, si dhe një mashtrim masiv me fondet bujqësore të Bashkimit Europian.
Megjithatë, zemërimi ndaj keqmenaxhimit nuk e ka forcuar opozitën. Sipas “Poll of Polls” të POLITICO, “Demokracia e Re” mbetet forcë e parë me 30% mbështetje, dy herë më shumë se rivali më i afërt. Pjesa më e madhe e skenës politike përbëhet nga parti të vogla dhe të fragmentuara.
“Demokracia e Re ka qëndruar në vend të parë për shumë kohë, por numrat e saj në sondazhe janë historikisht të ulët. Në të njëjtën kohë, nuk ka forca që duken të afta të sfidojnë dominimin e saj”, tha Angelos Seriatos, drejtues i departamentit të kërkimeve politike dhe sociale në kompaninë e sondazheve Prorata.
Ai shtoi se po bëhet gjithnjë e më pak e mundshme që “Demokracia e Re' të sigurojë shumicë parlamentare në raundin e parë apo të dytë të zgjedhjeve. Petros Ioannidis, drejtues i grupit kërkimor “About People”, tha se prioriteti i parë i Tsipras do të jetë bashkimi i bazës së majtë, e cila u shpërbë në disa fraksione pas largimit të tij.
Disa deputetë të Syriza-s dhe të partisë “New Left”, që u nda prej saj, kanë dhënë ose pritet të japin dorëheqjen për t’iu bashkuar Tsipras. Por Tsipras nuk është i vetmi lojtar i ri në politikën greke. Maria Karystianou, nëna e një prej viktimave të aksidentit hekurudhor në Tempi në vitin 2023, prezantoi javën e kaluar partinë e saj të re “Hope for Democracy”, me një platformë të fortë anti-establishment.
Pediatrja 53-vjeçare u kthye në figurë kryesore të protestave kundër establishmentit politik pas tragjedisë dhe asaj që shumë e konsideruan si përpjekje të autoriteteve për të fshehur përgjegjësitë. Megjithatë, ajo ka larguar një pjesë të mbështetësve pas deklaratave që u afruan me populizmin e djathtë për çështje si aborti dhe marrëdhëniet me Turqinë.
“Qëndrimet e saj kujtojnë shumë Lëvizjen 5 Yjet në Itali, por me një prirje shumë më patriotike dhe nacionaliste dhe fokus te korrupsioni”, tha Seriatos.
Ai shtoi se, megjithëse fillimisht kishte shumë kapital moral dhe njerëzit dukeshin të gatshëm ta dëgjonin politikisht, tani ajo është në rënie. Kritikët e kanë akuzuar gjithashtu se është rrethuar nga figura me qëndrime pro-ruse ose lidhje me Moskën.
Një tjetër parti nga krahu i djathtë pritet të krijohet nga ish-kryeministri dhe ish-lideri i “New Democracy”, Antonis Samaras.
Ai u përjashtua nga partia në vitin 2024 pasi kritikoi ashpër politikat e qeverisë, përfshirë marrëdhëniet me Turqinë dhe ato që ai i konsideron politika “woke”, si njohja e martesave mes personave të të njëjtit seks. Ish-kryeministri 75-vjeçar shihet me potencial më të kufizuar elektoral, por partia e tij mund t’i krijojë probleme Mitsotakis, i cili sipas sondazheve mund ta ketë të vështirë të sigurojë votat e nevojshme për të formuar qeverinë.
“Partitë e reja duket se mbulojnë të gjithë spektrin politik, nga e majta në të djathtë, madje edhe përtej kufijve tradicionalë politikë, dhe për pasojë do ta ndryshojnë patjetër peizazhin politik”, tha George Arapoglou, drejtor i kompanisë së sondazheve Pulse RC.
Komente









