TIRANE- Rritet ndjeshëm numri i të prekurve nga gripi në vendin tonë. Nga 43 mostrat e analizuara vetëm gjatë ditës së premte në ISHP kanë rezultuar 15 persona të prekur nga gripi dhe përkatësisht 10 me AH1N1 ose siç njihet si gripi i derrit  dhe 5 me AH3 që është gripi amerikan.

Rastet
Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në total 476 mostra të dyshuara për grip janë dërguar në laboratorët e Institutit të Shëndetit publik, nga të cilët 72 prej tyre kanë rezultuar se janë mbartës të virusit të gripit. “Deri më datën 28 shkurt 2014 janë dërguar në ISHP 476 mostra nga persona të dyshuar për grip.

Gjithsej, 72 ose 15% të mostrave kanë rezultuar pozitive me viruset e gripit. Përkatësisht, 36 prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A(H3) dhe 36 (50%) mostrave pozitive me virusin A(H1)pdm09” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Autoritetet shëndetësore po ashtu sqarojnë se 3 nga rastet me grip derri dhe 7 me gripin amerikan kanë shfaqur sindromën e rëndë respiratore akute.

Masat
Duke u nisur nga kjo situatë, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ka mbajtur edhe mbledhjen e dytë të Komitetit Ad-Hoc për përgjigjen ndaj gripit. Pasi analizoi situatën aktuale të gripit në vend, masat e marra dhe përgjigjen e deritanishme ndaj rasteve të paraqitura dhe atyre të dyshuara me grip, si dhe bazuar në të dhënat e fundit të sistemit të survejancës epidemiologjike ALERT dhe virologjike SENTINEL, komiteti konkludoi se Shqipëria vazhdon të përjetojë një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit dhe me prirje rritëse.

Ndërkaq, në të gjithë spitalet e vendit janë vënë në gatishmëri shërbimet e laboratorëve dhe reanimacionit, si dhe shpërndarja në sasi të mjaftueshme të barit antiviral Tamiflu nga Instituti i Shëndetit Publik në spitalet universitare dhe rajonale. Ndërkohë personeli shëndetësor është pajisur me maskat e posaçme respiratore dhe komiteti kërkoi intensifikimin e komunikimit me mjekët lidhur me udhëzimet më të fundit për përdorimin e barnave antiviralë, dhe ngarkoi ISHP-në dhe specialistët e shërbimeve përkatëse të vazhdojnë më tej informimin në vijimësi të publikut për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj gripit sezonal, veçanërisht: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët.
 
Alergjitë, mjekët: Kujdes, mos i ngatërroni me gripin
 Alergjitë e stinës, që i përkasin gjithmonë pranverës dhe janë prezente gjatë fundit të muajit mars dhe fillimit të prillit, këtë vit duhet se kanë ardhur më herët. Kjo konfirmohet edhe nga vetë mjekët të cilët e shpjegojnë këtë situatë për shkak të klimës së ngrohtë, çka ka sjellë edhe çeljen e shumë luleve, polenet e të cilave janë ndër shkaktarët kryesore të alergjisë.

“Në qoftë se do të kemi rënie të temperaturës dhe reshje shiu, normale që situata do të jetë e qetë. Në qoftë se do të vazhdoj koha e thatë dhe me rrezatim diellor, gjithashtu me temperaturë mbi 18 gradë celsius, rastet vijnë duke u shtuar” ka pohuar alergologia, Mira Xhixha. Sipas saj, shenjat e para janë shenjat që i përkasin alergjive të rrugëve të frymëmarrjes dhe më pak alergjitë e lëkurës.

Rrugët e frymëmarrjes preken më shumë të pjesët e sipërme, pra hunda, gryka, trakea, laringu dhe gjithashtu edhe sklerat e syve. Një dukuri që po vihet re është se shpesh pacientët ngatërrojnë simptomat e virozave apo gripit me ato të alergjive. Mjekët thonë se alergjitë kanë disa shenja të dallueshme nga virozat e stinës. Alergjitë shfaqen më shpesh nga grupmosha 5-vjeç deri në atë 50-vjeç.
 
 Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)