ISHP: Kemi 530 mijë të moshuar
duan 252 mln lekë barna në muaj

ISHP: Kemi 530 mijë të moshuar<br />duan 252 mln lekë barna në muaj
 TIRANE- “Në 2050, numri i personave të moshuar në vendet e zhvilluara do të jetë dy herë më i madh se numri i fëmijëve, dhe numri i të moshuarve në vendet në zhvillim pritet të dyfishohet. Kjo tendencë do të ketë efekte të thella në shumë vende dhe individë”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2050 rreth 80% e njerëzve të moshuar do të jetojnë në vendet më pak të zhvilluara. Moshimi i popullsisë  po ndodh paralelisht me urbanizimin e shpejtë: nga viti 2007 më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete dhe në vitin 2030 kjo shifër pritet të rritet në më shumë se 60%.
Në vendin tonë, në vitin 2009 popullsia e grup moshave 60 vjeç e lart përbënte 12.9% të popullsisë përkundrejt 9% që ishin në vitin 2007 apo 3% në vitin 1990. Nga pikëpamja gjinore femrat përbëjnë  më shumë se gjysmën e popullsisë 60 vjeç e lart.

Disa studime në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit tregojnë se më shumë se 2/3 e të moshuarve janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë një e treta e tyre raportojnë se vuajnë me më shumë se një sëmundje apo problem shëndetësor.
Vetëm 12% e të moshuarve raportojnë se nuk kanë pasur nevojë për të përdorur shërbimet shëndetësore gjatë 5 viteve të fundit.

Numuri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuaj gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu të moshuarit konsumojnë pothuaj gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se tre-fishin krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek mjeku i familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt 1- 4 recetave në muaj, që mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj.

Nëse shohim sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë, ato ndjekin trendin e përgjithshëm të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullsisë në tërësi. Sëmundjet kronike më të shpeshta të raportuara mes të moshuarve shqiptare në disa studime të kryera në Tiranë dhe në disa rrethe të vendit janë sëmundjet kardio-vaskulare me rreth 60%, diabeti me rreth 20%, të ndjekura nga sëmundjet gastrointestinale, sëmundjet kronike të mushkërive dhe artriti reumatiod. Ende nuk është e studiuar në mënyrë të përshtatshme në vendin tonë prevalenca e problemeve të shëndetit mendor si neurozat dhe demencat.

Pothuajse të gjithë të moshuarit të përfshirë në studime, 94%, raportojnë se kanë shqetësime lidhur me dhimbjet kronike ndërkohë se në mbi 15% të rasteve dhimbja është shumë e fortë. Mbi 30% e të moshuarve kanë probleme me shikimin dhe rreth 20% e tyre kanë probleme me dëgjimin.
Shifra është shumë më e madhe kur bëhet fjalë për aksesin në mjekimin e përshtatshëm: pothuaj 70% raportojnë të kenë pasur probleme me sigurimin e medikamenteve të rekomanduara nga mjeku.

Në raportin e publikuar në vitin 2011 nga rrjeti MOSHA u nënvizua se 8-9% e të moshuarve kanë probleme serioze të lidhura me autonominë dhe praktikisht kanë nevoje të vazhdueshme për përkujdesje.
Por jo gjithçka është në dorën e tyre. Të moshuarit ndeshen shpesh me barriera shoqërore që ndikojnë mjaft në jetën e tyre. Gjithmonë e më shumë të moshuar jetojnë të vetmuar, ndërkohë që gjendja ekonomike e tyre është më e rëndë se pjesa tjetër e shoqërisë.

Ministria e Shëndetësisë ka qënë pjesë aktive e  hartimit të Dokumentit Ndërsektorial Zhvillues dhe Planit të Veprimit për Moshimin, 2009-2013. Në këtë dokument është bërë një analizë për shëndetin e mirëqënien e personave të moshuar dhe nga ana tjetër ky dokument dhe plani i veprimit, konfirmon vullnetin dhe angazhimin programatik të Qeverisë në promovimin e vlerave dhe zgjerimin e kontributeve të të moshuarve në komunitetet ku ata jetojnë. Por akoma ka vend për përmirësim apo zgjerim të aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale publike dhe jopublike.

Sëmundjet e të mosshuarve
Moshimi i bën njerëzit më të prekshëm nga aksidentet dhe sëmundjet. Me kalimin e moshës, shtohen si ndryshimet degjenerative të përgjithëshme ashtu dhe shpeshtësia e disa sëmundjeve. Pra një pacient i moshuar mund të vuajë nga shumë probleme dhe jo nga një çrregullim i vetëm. Afërsisht një e pesta e personave të moshuar nuk ndjejnë dhimbje kur ndodh një infarkt miokardi. Nuk duhet harruar se dhimbja nuk është një shoqëruese normale e moshës së shkuar dhe nuk duhet injoruar asnjëherë. Si pasojë e ndryshimeve biologjike që ndodhin në organizmin e të moshuarve edhe sëmundjet jo vetëm janë më të shpeshta, por ato shfaqen në mënyrë atipike, gjë e cila e vështirëson jo vetëm diagnozën e hershme të tyre por edhe trajtimin e përshtatshëm por mund të çojnë edhe në diagnoza të pasakta. Sëmundjet kronike jo të transmetueshme përbëjnë problemet shëndetësore kyç për personat e  moshuar. Rreth 80% e të gjitëe personave të moshuar (mbi 65 vjeç) kanë një ose më shumë sëmundje kronike.

Sëmundjet kardiovaskulare, cerebrovaskulare dhe kanceri janë gjendje kronike të cilat përbëjnë edhe tre shkaqet kryesore të vdekjeve tek të moshuarit.
Problemet mendore dhe ato emocionale përbëjnë një shqetësim për
shumë të moshuar. Më të shpeshta janë ankthi, depresioni me 15-30% në moshat mbi 65 vjeç. Sëmundjet nga mungesat ushqimore, si anemi nga mungesa e hekurit, neuropati nga mungesa e folateve dhe Vitaminës B12, etj. Sëmundjet degjenerative si artritet degjenerative që prekin më shumë kyçet e duarve, këmbëve, kurrizit, etj. Seniliteti, i cili paraqitet si konfuzionin mendor ose paaftësi për të mbajtur mend dhe për fat të keq ende përdoret si referencë e moshës së tretë.

Dy karakteristika bazë janë në thelbin e tij; deliriumi dhe demenca. Nëse deliriumi, i cili karakterizohet nga simptomat e disorientimit, haset në persona e të gjitha moshave, demenca vihet re sidomos tek të moshuarit. Rreth 10 % e personave të moshës së tretë janë të prekur nga ky problem. Forma më e shpeshtë e demencës e cila haset në të moshuarit është sëmundja e Alzheimerit. Shenjat e para të një individi me Alzheimer janë të lidhura me rënien e kujtesës. Me përparimin e sëmundjes fillojnë vështirësitë në orientimin në kohë dhe hapësirë si dhe ndryshimet në personalitet dhe sjellje.  Sëmundja vazhdon deri aty sa mund të preken edhe të folurit apo të ecurit duke e bërë personin e prekur invalid të rëndë. Për fat të keq, deri tani nuk ka një metodë parandalimi, trajtimi apo kurimi, apo edhe për shkaqet nuk mund të thuhet akoma ndonjë gjë e saktë.

Të dhënat nga Shqipëria për këtë sëmundje janë të pjesshme edhe për arsye të tabuve që ekzistojnë ende. Humbja e autonomisë, parashikohet se do të jetë epidemia e vërtetë e këtij
shekulli gjithashtu dhe sëmundjet e lidhura me moshën. Shkenca mjekësore ofron gjithnjë e më shumë mjete diagnostike dhe mjekuese mjaft të sofistikuara dhe efikase duke ndihmuar në kontrollin e vdekjes së parakohshme për shumë të moshuar, por ka bërë shumë pak lidhur me uljen e shpeshtësisë së sëmundjeve dhe të humbjes së autonomisë mes tyre.
Shkrimi u publikua sot (03.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)­

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Revista amerikane ‘Skift’: Pse Shqipëria po bëhet kaq popullore

Revista amerikane ‘Skift’: Pse Shqipëria po bëhet kaq popullore