Itali - Altin Kokici, një 51-vjeçar me origjinë shqiptare, është gjetur i vdekur natën mes të mërkurës dhe të enjtes në një kantier ndërtimi në Padova të Italisë, ku po zhvillohen punime rikonstruksioni në një ndërtesë.

Viktima, pronar i një kompanie të specializuar për ndërtime muresh në Sossano, në provincën e Vicenzës, dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit dhe ka vdekur si pasojë e rënies.

Vendndodhja e tij u përcaktua përmes sinjalit të celularit, i cili tregonte se 51-vjeçari ndodhej ende pranë kantierit.

Policia mbërriti në objekt dhe, pasi telefonoi numrin e tij, arriti të lokalizonte hapësirën e ashensorit, ku u gjet trupi i pajetë.

Në vendngjarje shkuan edhe ekipet e urgjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.