Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se, ndonëse ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ka dalë nga banesa dhe ka kryer vjedhje në pesë biznese gjatë periudhës 14–22 gusht.
Sipas Policisë, i riu me inicialet K. M. u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “HIJA” nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1. Gjatë kapjes së tij, në sheshin “Skënderbej”, iu gjet dhe sekuestrua edhe një sasi e lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa.
Pamjet e kamerave të sigurisë nga një prej bizneseve të vjedhura tregojnë momentin kur i dyshuari i maskuar hap të dyja kasat, mbush qeset me produkte dhe para dhe më pas largohet nga e njëjta derë, e cila, ndonëse duket e mbyllur, hapet mjaftueshëm sa ai të rrëshqasë si gjarpër përmes saj bashkë me qesen plot.
Por ai nuk ishte i vetmi i arrestuar. Në kuadër të operacionit “Reaction”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 vunë në pranga edhe shtetasin Sh. J., 31 vjeç, i dyshuar se i ka vjedhur me dhunë dy varëse një gruaje në rrugën e “Saraçëve”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy varëset e vjedhura.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Tiranë/Finalizohen në 24 orët e fundit, dy operacione për zbardhjen e rasteve të vjedhjes. Operacioni “HIJA”/Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kreu vjedhje në 5 subjekte gjatë javës së fundit, vihet në pranga 23-vjeçari. Operacioni “REACTION”/Vodhi me dhunë 2 varëse një shtetaseje, vihet në pranga 31-vjeçari. Sekuestrohen 2 varëset e vjedhura dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera menjëherë pas kallëzimeve dhe marrjes së informacioneve për raste të vjedhjes së pronës/pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 4, në 24 orë, finalizuan 2 operacione për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të 6 rasteve të vjedhjes. Konkretisht: -Në kuadër të operacionit të koduar “HIJA”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe vunë në pranga shtetasin K. M., 23 vjeç, i cili dyshohet se gjatë periudhës 14.08.2026–22.08.2026, ka vjedhur para dhe produkte në 5 subjekte. Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë kapjes së tij, në sheshin “Skënderbej”, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. -Në kuadër të operacionit të koduar “REACTION”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën dhe vunë në pranga shtetasin Sh. J., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka vjedhur me dhunë 2 varëse një shtetaseje, në rrugën e “Saraçëve”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 varëset e vjedhura. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme"










Komente
Komento