Aksi i Qafë Thores është zhbllokuar dhe në rrugën e cila ka qenë e pakalueshme prej 15 shkurtit prej ortekëve, vijon qarkullimi pa probleme nga Thethi drejt Bogës. Në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, thuhet se po punohet në kriposje dhe zgjerimin e rrugës kaluese.
Temperaturat momentalisht janë të ulëta dhe japin siguri për kalimin në zonën e ortekëve.
“Në Qafë Thore është punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës.
Temperatura e ulët, që ka shkuar deri në -10°C, ka ndihmuar në stabilizimin e dëborës dhe vijimin e punës për hapjen e rrugës
Tani sapo u bë e mundur hapja e rrugës nga Thethi në drejtim të Bogës dhe ka filluar lëvizja e mjeteve.
Kontraktori i mirëmbajtjes me mjetet borëpastruese po bën kriposjen dhe zgjerimin e pjesës kaluese, me qëllim garantimin e qarkullimit sa më të sigurt.
Drejtuesit e mjeteve të qarkullojnë me kujdes dhe të jenë të pajisur me zinxhir kur udhëtojnë drejt këtij aksi”, thotë njoftimi.
Komente









