PËRMET - Lihet në arrest shtëpie edhe administratori i pronave të Henri Çilit. Seanca për Betim Shkupin u mbajt sot në Gjykatën e Përmetit nga gjyqtari Pëllumb Vebiu.

Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, u nda nga grupi me mbi 30 të arrestuar në operacionin "Mezhgorani" pasi gjyqtari Dritan Hasani tha se kishte qenë shok fakulteti me Shkupin. Gjithashtu në shtëpinë e babait të Betim Shkupit, Fatmir Shkupi, u gjet dosja e rekursit të Feti Yzeiraj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, për të cilin Henri Çili akuzohet se do të ndërhynte që dosja e tij të ishte në  50 të parat për t'u gjykuar kur Gjykata e Lartë të ngrihej.

Ndërkohë, biznesmenit shkodran, Sait Fishtës, gjykata i komunikoi sot në spital në Tiranë masën e sigurisë detyrim paraqitje. Sipas prokurorisë, Fishta është pjesë e grupit me 36 të arrestuar në total.

Dje në një seancë që zgjati për më shumë se 9 orë, u lirua Henri Çili, botuesi i njohur dhe pronar i UET-së, me masë "detyrim paraqitje". Ndërsa u lanë në arrest shtëpie të akuzuarit si bashkëpunëtor të tij, juristi i UET-së, Ilir Korbi. Po ashtu në arrest shtëpia u la edhe Besnik Fishta, vëllai i biznesmenit dhe ndërtuesit nga Shkodra Sait Fishta.