Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me përfaqësues të shoqatës së pronarëve, ku ka pranuar përgjegjësinë e Partisë Demokratike për këtë çështje në të shkuarën. Lulzim Basha thotë se me pronarët ndanë shqetësimin për qëndrimin dhe lobimin negativ të qeverisë Rama për këtë çështje, ndërsa i premtoi zgjidhje kur opozita të vijë në pushtet.

"I gjithë korpusi ligjor dhe veprimet e qeverisë Rama, kanë qenë kundër pronës private dhe në shërbim të planeve korruptive të biznesmenëve të lidhur me të, pjesë e të cilit është edhe ligji i investimeve strategjike në vitin 2015. Sikundër dhe ligji i ri i pronave i cili e trajton pronën private të individit si një mall në shportën e oligarkëve pa pasur respekt për shenjtërinë e pronës dhe zotëruesit e saj. Duke pranuar përgjegjësitë e PD në të shkuarën për këtë çështje, i sigurova përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve se qeveria e ardhshme do të mundësojë një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve europiane për pronarët, gjithmonë në konsultim me ta", është shprehur kryedemokrati Basha.

Basha thotë se me pronarët u dakordësuan për të hartuar një projekt të qartë dhe gjithashtu piketat kyçe të një projektligji që do të zëvendësojë, atë që ai e quan korpusin kriminal të projektligjeve në lidhje me pronën, të miratuar nga qeveria e kryeministrit Rama.

"Nën koordinimin e zonjës Ledina Mandia, ne do të ndihmojmë dhe do të ideojmë së bashku me shoqatën e pronarëve një korpus ligjor që do të përpiqet të japë zgjidhjen e duhur për pronën në Shqipëri. Qeveria Rama nuk ka interes raportin e drejtësisë dhe të së drejtës së tyre. Përkundrazi, ajo ka interes vetëm një grusht individësh që përfitojnë në kurrizin e pronarëve", ka deklaruar Basha.