Ditën e sotme, në orën 17:00, shoqëria civile kishte bërë thirrje përmes njoftimeve në rrjetet sociale për të protestuar për rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, pas luftës në Iran dhe shtete të tjera të lindjes së mesme.

Protesta ishte paralajmëruar që të zhvillohej para godinës së Kryeministrisë, ku ndodhen edhe disa aktivistë të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, të cilët po qëndrojnë aty në shenjë proteste prej më shumë se 105 ditësh.

Por, protesta e thirrur nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimit të naftës në vend ka dështuar. Këtë e vërtetojnë edhe pamjet e siguruara nga Report TV, ku në shesh janë të pranishëm rreth 10 persona.

Ndërkohë në një lidhje live për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, aktivistja e Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Edona Haklaj se protesta kishte si qëllim ndërgjegjësimin qytetar për rritjen e çmimit të karburanteve, por edhe të çmimeve të tjera.

“Pjesëmarrja në këtë momente është relativisht e ulët. Unë i jam përgjigjur ftesës dhe njoftimit të bërë në rrjetet sociale nga qytetarë që unë i shoh të angazhuar në shoqërinë civile. Siç jam prej mbi 105 ditësh në protestë përballë hajdutërisë dhe korrupsionit, do isha edhe në një protestë që ka synim qoftë ndërgjegjësimin qytetar përsa i përket çmimeve dhe tarifave që ne përballemi në jetën e përditshme dhe vënien para përgjegjësisë të qeverisë shqiptare për të ndërhyrë në çmimin e karburantit siç kanë bërë vendet e rajonit”, tha mes të tjerash Haklaj.

Kujtojmë se pas nisjes së luftimeve mes SHBA e Izraelit kundër Iranit, ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës edhe në Shqipëri. Për disa ekspertë, rritja në këto nivele e çmimit të naftës në vendin tonë, është e pajustifikuar.